Telefonët e emigrantëve në shënjestër! Hyjnë në fuqi ligjet e reja në Mbretërinë e Bashkuar

Ligjet e reja në Mbretërinë e Bashkuar u lejojnë autoriteteve të sekuestrojnë telefonat e emigrantëve të paligjshëm për të mbledhur informacion kundër rrjeteve të trafikimit të njerëzve që organizojnë kalimet përmes Kanalit të La Manshit. Qeveria beson se këto masa dhe dënimet e ashpra deri në 14 vjet burg do të ndihmojnë në luftën e këtyre bandave.

Kanë hyrë në fuqi ligjet e reja në Mbretërinë e Bashkuar që u japin autoriteteve të drejtën të sekuestrojnë telefonat celularë të emigrantëve të paligjshëm, edhe pa i arrestuar ata.

Qëllimi kryesor është mbledhja e informacionit për rrjetet e trafikimit të njerëzve që organizojnë kalimet me varka të vogla përmes kanalit të La Mansh.

Këto masa do të zbatohen fillimisht në qendrën e përpunimit të emigrantëve në Manston, në Kent.

Oficerët mund të kontrollojnë rrobat e emigrantëve dhe madje edhe gojën e tyre për karta SIM.

Të dhënat parashikohet se do të përdoren nga Agjencia Kombëtare e Krimit.

Qeveria thotë se këto ligje do të ndihmojnë në goditjen më të shpejtë të bandave kriminale që përfitojnë nga ky trafik i rrezikshëm.

Ndërkohë, organizata si “Këshilli i Emigrantëve” kanë shprehur shqetësim, duke theksuar se telefonat janë shumë të rëndësishëm për emigrantët për të mbajtur kontakt me familjet e tyre.

Ligji i ri parashikon gjithashtu dënime të ashpra, deri në 14 vjet burg, për personat që ruajnë ose furnizojnë me motorë dhe pajisje të tjera varkat e emigrantëve.

Një total prej 41,472 emigrantësh kaluan Kanalin me mjete lundruese në vitin 2025, pothuajse 5,000 më shumë se një vit më parë.