Starmer sinjalizon “afrim” me BE! Shkak, nevoja për lehtësimin e burokracive në sektorin e tregtisë
Kryeministri britanik Keir Starmer sinjalizoi afrimin e Mbretërisë së Bashkuar me tregun e përbashkët të BE-së për të lehtësuar tregtinë dhe mbështetur bizneset. Megjithatë në fjalën e tij përjashtoi rikthimin në bashkimin doganor dhe lirinë e plotë të lëvizjes.
Kryeministri britanik Keir Starmer ka dhënë sinjalin më të qartë deri tani për një ndryshim të qasjes së Mbretërisë së Bashkuar ndaj Bashkimit Europian, duke u shprehur i hapur për afrime më të ngushta me tregun e përbashkët, por jo për rikthim në bashkimin doganor.
Në një intervistë për BBC-në, Starmer tha se nëse është në interes kombëtar, Britania duhet të shqyrtojë një përputhje më të thellë me rregullat e BE-së në sektorë të caktuar si ushqimi dhe bujqësia, energjia elektrike dhe tregtia e emetimeve, ku përputhja me rregullat europiane mund të ulë barrierat dhe kostot për eksportuesit duke mbështetur dhe fuqizuar bisneset.
Sipas Dhomave Britanike të Tregtisë, shumica e këtyre të fundit besojnë se marrëveshja aktuale pas daljes nga unioni nuk po e ndihmon rritjen e shitjeve, për shkak të burokracisë dhe kontrolleve shtesë.
Megjithatë, Starmer përjashtoi qartë rikthimin e lirisë së plotë të lëvizjes, duke theksuar se çdo marrëveshje e re nuk nënkutpon rikthim në BE.
Ai mbështeti vetëm një skemë lëvizjeje për të rinjtë, për punësim dhe eksperiencë në vendet europiane.
Deklaratat e tij kanë shkaktuar reagime të forta politike. Konservatorët dhe partia Reform UK e Nigel Farage e akuzojnë kryeministrin për tradhti.
Sipas analistëve, ky ndryshim qëndrimi është rezultat i një kombinimi faktorësh ekonomikë, politikë dhe gjeopolitikë, ndërsa Britania hyn në vitin që shënon 10-vjetorin e referendumit të Brexit-it, daljes nga BE.
Debati për marrëdhëniet me Europën pritet të jetë një nga temat kyçe në zgjedhjet e ardhshme në Mbretërinë e Bashkuar.

