Zvicra ndërmerr hapa ndaj Maduros/ Ngrin pasurinë e presidentit venezuelian dhe të personave të lidhur me të

Qeveria e Zvicrës njoftoi këtë të hënë, më 5 janar, se ka marrë vendim për të ngrirë menjëherë të gjitha pasuritë që presidenti i arrestuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, apo persona të lidhur me të, mund të kenë në territorin zviceran.

Sipas autoriteteve në Bernë, masa vjen pas arrestimit të Maduros në Karakas gjatë një operacioni të papritur ushtarak amerikan, pas të cilit ai u transferua në Nju Jork për t’u përballur me akuza që lidhen me trafikimin e drogës.

Duke e cilësuar situatën në Venezuelë si “të paqëndrueshme”, qeveria zvicerane deklaroi se vendimi synon të parandalojë transferimin ose fshehjen e pasurive që mund të jenë përfituar në mënyrë të paligjshme.

Për këtë arsye, si masë paraprake, është vendosur ngrirja e aseteve të Maduros dhe individëve të tjerë të lidhur me të.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të jetë i vlefshëm për një periudhë katërvjeçare, deri në një njoftim të dytë.

Autoritetet zvicerane sqaruan se, nëse procedurat ligjore vërtetojnë se fondet janë siguruar në mënyrë të paligjshme, Zvicra do të angazhohet që ato t’i kthehen popullit të Venezuelës.

Në deklaratë theksohet se masa nuk prek asnjë anëtar të qeverisë aktuale venezueliane.

Ajo bazohet në Ligjin Federal për Ngrirjen dhe Kthimin e Pasurive të Paligjshme të Mbajtura nga Persona të Huaj të Ekspozuar Politikisht dhe përforcon sanksionet ekzistuese ndaj Venezuelës, të vendosura që nga viti 2018.

Sipas Bernës, ngrirjet e reja kanë në shënjestër persona që deri më tani nuk kishin qenë subjekt sanksionesh në Zvicër.

Qeveria zvicerane bëri të ditur se po ndjek nga afër zhvillimet në Venezuelë dhe u bëri thirrje palëve për ulje tensionesh, vetëpërmbajtje dhe respektim të së drejtës ndërkombëtare.

Njëkohësisht, Zvicra përsëriti gatishmërinë e saj për të ofruar “shërbimet e mira” si ndërmjetës, me synimin për të kontribuar në një zgjidhje paqësore të situatës.

Autoritetet zvicerane theksuan se arsyet e rrëzimit të Maduros nga pushteti nuk janë vendimtare për këtë vendim.

Sipas tyre, elementi kyç është ndryshimi i pushtetit dhe rreziku që në të ardhmen të nisin procedura ligjore lidhur me pasuri të dyshuara si të përfituara në mënyrë të paligjshme.