Bllokada detare nga SHBA/ 16 cisterna venezueliane me naftë largohen pa autorizimin e qeverisë

Të paktën 16 anije-çisternë me naftë, të goditura nga sanksionet amerikane, dyshohet se kanë tentuar gjatë dy ditëve të fundit të shmangin një bllokadë të gjerë detare të vendosur nga Shtetet e Bashkuara për eksportet e naftës nga Venezuela.

Sipas të dhënave satelitore, disa prej tyre kanë fshehur pozitat reale ose kanë çaktivizuar sinjalet e transmetimit për të shmangur gjurmimin.

Sipas një analize të The New York Times, për javë me radhë anijet ishin parë të ankoruara në portet venezueliane.

Por deri të shtunën, pas kapjes së presidentit Nicolás Maduro nga forcat amerikane, të gjitha anijet ishin larguar nga portet.

Katër prej tyre janë ndjekur nga satelitët duke lundruar rreth 30 milje larg brigjeve venezueliane, duke përdorur emra të rremë dhe duke falsifikuar pozicionet e tyre reale, një praktikë e njohur si “spoofing”.

Sipas burimeve nga industria e naftës dhe dokumenteve të brendshme të kompanisë shtetërore PDVSA, këto anije janë larguar pa autorizimin e qeverisë së përkohshme të drejtuar nga Delcy Rodríguez, çka mund të interpretohet si një akt i hershëm mosbindjeje ndaj autoriteteve të reja.

Dymbëdhjetë anijet e tjera kanë ndërprerë plotësisht transmetimin e sinjaleve dhe nuk janë identifikuar në imazhet më të fundit satelitore, duke ngritur pikëpyetje mbi vendndodhjen dhe destinacionin e tyre.

Bllokada detare u shpall më 16 dhjetor nga presidenti amerikan Donald Trump dhe u cilësua nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, si një nga “karantinat” më të mëdha detare në historinë moderne.

Qëllimi i saj është të paralizojë aftësinë e regjimit venezuelian për të gjeneruar të ardhura nga nafta. Nga bllokada përjashtohet vetëm nafta e eksportuar nga kompania amerikane Chevron drejt Bregut të Gjirit të SHBA.

Deri tani, forcat amerikane janë përballur me tre anije që përpiqeshin të transportonin naftë venezueliane. Njëra prej tyre, Skipper, u ndalua dhe u sekuestrua nga Garda Bregdetare më 10 dhjetor.

Një tjetër, Centuries, u ndalua dhe u bordua më 20 dhjetor, ndërsa anija Bella 1, e riemëruar Marinera, mbetet ende nën ndjekje.