DËNIME PËR NGACMIM KIBERNETIK/ Gjykata franceze ndëshkon fushatën e shpifjeve ndaj Brigitte Macron

Dhjetë persona janë shpallur fajtorë në Paris për ngacmim kibernetik ndaj Brigitte Macron, bashkëshortes së presidentit francez. Gjykata konstatoi se të pandehurit kishin përhapur qëllimisht pretendime të rreme dhe fyese për gjininë dhe jetën personale të saj. Vendimi shihet si sinjal i fortë kundër dhunës dhe shpifjes në internet.

Një gjykatë në Paris ka shpallur fajtorë dhjetë persona për bullizim kibernetik ndaj Brigitte Macron, Zonja e Parë e Francës.

Të pandehurit akuzoheshin për përhapje të pretendimeve të rreme në lidhje me gjininë dhe seksualitetin e saj, si dhe për komente dashakeqe mbi diferencën e moshës mes saj dhe presidentit Emmanuel Macron.

Gjykatësi tha se tetë burra dhe dy gra kishin vepruar me qëllim të qartë për ta dëmtuar personalisht Brigitte Macron, duke përdorur një gjuhë degraduese dhe fyese në rrjete sociale.

Shumica e tyre u dënuan me burgim me kusht deri në tetë muaj, ndërsa njëri prej tyre u dërgua menjëherë në burg për shkak se nuk ishte paraqitur në gjykatë.

Vendimi në Francë vjen në prag të një beteje të madhe ligjore në Shtetet e Bashkuara, ku familja Macron ka ngritur padi për shpifje kundër influencueses së ekstremit të djathtë Candace Owens, e cila ka përhapur të njëjtat teori konspiracioni në platformat e saj.

Teoritë se Brigitte Macron është një grua transgjinore kanë qarkulluar që nga zgjedhja e Emmanuel Macron në vitin 2017. Çifti është i martuar që nga viti 2007, pasi ishin njohur vite më parë në një shkollë të mesme ku ajo ishte mësuese e tij.

Gjykata franceze theksoi se rasti përbën një precedent të rëndësishëm kundër dhunës dhe shpifjes në internet.