SKONTOT FALSE NË DYQANE/ Stafa: Të merren masa ndaj reklamimeve mashtruese
Uljet fiktive dhe skontot e rreme në dyqane po kthehen në një shqetësim serioz për konsumatorët shqiptarë. Shoqata e mbrojtjes së konsumatorit denoncon praktikat mashtruese dhe kërkon nga institucionet shtetërore më shumë kontrolle, transparencë dhe ndëshkime për bizneset që abuzojnë me çmimet.
Uljet fiktive po shqetësojnë gjithnjë e më shumë konsumatorët shqiptarë.
Shumë biznese reklamojnë skonto që në realitet nuk ekzistojnë, duke i mashtruar qytetarët dhe duke përfituar padrejtësisht prej tyre, fenomen, i denoncuar prej kohësh, është kthyer në një praktikë të përhapur, jo vetëm për produktet industriale, por edhe për ato ushqimore.
Sipas Stafës, përgjegjësia për kontrollin dhe ndëshkimin e këtyre shkeljeve u takon institucioneve shtetërore, përfshirë Inspektoriatin Shtetëror Industrial, Drejtorinë e Përgjithshme të Tregut të Brendshëm, Autoritetet e Mbrojtjes së Konsumatorëve dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Qendra e Konsumatorëve Shqiptarë ka depozituar ankesa dhe, sipas drejtuesit të saj, në disa raste janë marrë masa administrative. Megjithatë, ai thekson se nevojitet një angazhim më i madh dhe më i vazhdueshëm nga institucionet për të frenuar këtë fenomen.
Ekspertët e mbrojtjes së konsumatorit kërkojnë më shumë kontrolle në terren dhe ndëshkime për bizneset që përdorin ulje fiktive, në mënyrë që të mbrohen të drejtat e qytetarëve dhe të garantohet një treg i ndershëm
