"Bonus-Malus"/ Sigurimi i makinave shtrenjtohet për shoferët me aksidente
Nga 1 janari, sigurimi i makinës do të jetë më i shtrenjtë për shoferët që shkaktojnë më shumë aksidente. Hyrja në fuqi e skemës bonus–malus, parashikon të rrisë çmimin për drejtuesit që shkaktojnë aksidente dhe ta ulë për ata pa histori dëmesh. Në përllogaritje do të ndikojnë edhe faktorë si mosha, eksperienca, fuqia motorike dhe vjetërsia e automjetit
Sigurimi i makinës nuk do të ketë më një çmim të njëjtë për të gjithë drejtuesit e mjeteve.
Duke nisur nga ky 1 janar, pagesa për kartonin e sigurimit do të varet drejtpërdrejt nga sjellja e shoferit në rrugë. Ata që përfshihen në aksidente do të paguajnë më shumë, ndërsa drejtuesit e kujdesshëm do të përfitojnë ulje të çmimit.
Sistemi i ri, i njohur si skema “bonus–malus” dhe i aplikuar prej vitesh në vendet e Bashkimit Europian, parashikon penalizim për mjetet që shkaktojnë dëme dhe bonus për ato që nuk kanë historik aksidentesh.
Nëse niveli i dëmeve në shkallë vendi arrin në 4 apo 5%, kjo kategori drejtuesish do të përballet me rritje të primit të sigurimit, ndërsa pjesa tjetër do të përfitojë çmime më të ulëta
Një risi e rëndësishme e këtij sistemi është fakti se penalizimi i atribuohet mjetit, edhe në rastet kur në momentin e aksidentit drejtuesi nuk ka qenë pronari i makinës.
Përveç historikut të aksidenteve, në përllogaritjen e çmimit të siguracionit do të merren parasysh edhe disa faktorë të tjerë risku, si fuqia motorike e automjetit, mosha dhe eksperienca e shoferit, qëllimi i përdorimit të mjetit, qarku i regjistrimit si dhe vjetërsia e makinës
Moshat e reja, përvoja e kufizuar në drejtimin e automjetit apo mjetet e vjetra konsiderohen elementë që rrisin riskun dhe për rrjedhojë shtrenjtojnë siguracionin.
Sigurimi i automjeteve mbetet segmenti dominues i tregut të sigurimeve në Shqipëri me rreth 69.5 % e tregut ndërsa pjesa tjetër ndahet mes sigurimit të pronës me 16.5 % dhe të jetës dhe shëndetit me 14 %.
Ndërkohë nga ana tjetër të dhënat e INSTAT tregojnë se nga janari e deri në nëntor të vitit 2025 janë shënuar 1.245 aksidente dhe 182 viktima, shumica prej tyre meshkuj. Edhe pse numri i aksidente shënohet më i ulët se vitit i kaluar numri viktimave është 33 më i lartë se po e njëjta periudhë e vitit të kaluar
Ky tregues bën që me sistemin e ri të siguracionit çdo shofer do ta ndjejë në portofol sjelljen e tij në rrugë.

