Lea Ypi/ Nuk e përjashtoj mundësinë e angazhimit në politikë

 

Shkrimtarja dhe filozofja shqiptare Lea Ypi ka lënë të hapur mundësinë për një angazhim politik në Shqipëri, edhe pse aktualisht jeta e saj zhvillohet në Britaninë e Madhe.

Në një intervistë për programin “Off the Record” në A2 CNN, Ypi theksoi se njeriu nuk duhet të thotë kurrë “jo” për të ardhmen. Ajo shpjegoi se të gjithë jemi të angazhuar në politikë në kuptimin e pushtetit, por nuk e sheh pushtetin politik si formën e vetme të ndikimit. Siç tha ajo, filozofia dhe reflektimet mbi pushtetin e kanë mësuar se energjia e pushtetit politik është intensive, por jeta e tij është shumë e shkurtër:

“Arti është i gjatë, jeta është e shkurtër. Pushteti politik ka jetën shumë të shkurtër dhe ka atë energjinë që merr në atë jetë të shkurtër shumë të madhe dhe krijon një iluzion plotfuqie.”

Ypi shtoi se nuk ka ambicie të drejtpërdrejta për të ushtruar pushtet institucional:

“Pushteti merr forma të ndryshme. Nuk kam ndonjë interes apo ambicie për të ushtuar pushtet në kuptimin e vendimmarrjes institucionale. Ka mënyra të tjera për të kontribuar në shoqëri dhe të gjithë kemi këtë rol.”

Aktualisht, prioritetet e saj mbeten shkrimi, librat dhe angazhimi me lexuesit, duke mos vendosur as të hapë, as të mbyllë derën e politikës për të ardhmen.