Agron Gjekmarkaj/ "Spartakiadat dhe gjylat e politikës”
Nga Agron Gjekmarkaj
Kronika propozon kremtimin e ditëlindjeve të udhëheqësve! Çdo stinë që kalon e shton dashurinë e popullit për udhëheqësit e vet!
Aty-këtu po shumohen zërat pas 13 vitesh, pse nuk organizohen festa, çabulle, ahengje, zderhallje, aktivitete me synim që emri dhe bëmat e tyre të nguliten në ndërgjegjen kombëtare!
“Kronika”, e cila karakterizohet nga ndershmëria dhe ndjeshmëria ndaj njerëzisë, vendosi të përkufizojë disa prej dëshirave të tyre themelore!
Ajo propozon që data 4 korrik të shpallet festë kombëtare jo vetëm se është festa e pavarësisë së aleatit tonë kryesor SHBA, por edhe ditëlindja e Babos!
Si e tillë shpallet ditë pushimi, degët e PS organizojnë pikniqe dhe koncerte! Kudo bëhen kurban mzetër, desh dhe cjepër! Ulësiu i bie lahutës si bard kombëtar i vetmuar në sheshin Skënderbej nga mengjesi në darkë !
Komisionin kombëtar të therjeve e kryeson Dilua, i cili bën dhe inventarin! Sa më shumë të hajë mileti, aq më gëzim ka! Rjepja u besohet deputetëve të rinj, një për qark, nën kujdestarinë e Pandi Majkos!
Bora numëron lëkurat që mos të ketë hile e vjedhje si te AKSHI!
Igli Hasani shpërndan ftesa për ndërkombëtarët!
Për atë të pjekjes në hell thirret Ismet Beqiri për Jugun, Xhemal Qefalia për Shqipërinë e Mesme dhe Musa Ulqini për Veriun, që të ketë mbulim mbarëkombëtar!
Shefe e petullave dhe byrekut askush nuk ia merr Ekonomit!
Skuqja e patateve i besohet Erjon Braçes! Sallata Ardit Bidos!
Zierja e vezëve Zeniqesë dhe Buçkos! Për repertorin e këngëve operistike, me përulësi thirret në skenën e historisë Margeriti, se Gonxhja do jetë i zënë në punë AKÇIHANEJE, duke përzier pilaf!
Komiteti që merret me vallet, isot dhe potpurritë, natyrshëm i besohet Tezes, Xhafes dhe vetë Termesë! Dollibash i Republikës emërohet Bujari i Lushnjës, edhe pse tanimë i tërhequr dhe i rënë në zvetënim intelektual!
Petrit Malaj me lozonjarin Sofjan do të merren me hekurosje, arnim dhe sistemimin e mbulesave e perdeve ! Vengu me ushtrinë do u bjerë daulleve e borive! I patëm thënë Laert Duros, tanimë rezervist, mos u ngrys prej dëshpërimit se ditë e gazit prapë vjen, e ja ku erdhi! I duhet të porosisë kamionë me domixhanë për lotët e gëzimit që do derdhen, aq sa asnjë pikë të mos shkojë dëm! Ditmar Bushati të mbahet larg se të bën gjëmën, është sabotator e revizionist si Zef Mala, të hedhë vaj ricini në makarona që të zërë barku Nikon, Damon, të madh e të vogël!
