Moti i keq përfshin vendin/ Goma dimri dhe kujdes në rrugë

Moti i keq përfshin vendin, Policia apelon për kujdes në rrugë.

Vendi është përfshirë nga reshje shiu dhe dëbore, duke vështirësuar qarkullimin në zona si Pukë, Fushë Arrëz, Shkodër dhe Qafë Thanë. Temperaturat kanë zbritur deri në 0°C, ndërsa në aksin Kryezi–Iballes trashësia e borës ka kaluar 20 cm.

Në Rrugën e Kombit dhe superstradën Milot–Lezhë, reshjet e dendura dhe era e fortë kanë bërë qarkullimin më të vështirë, ndërsa trafiku në Doganën e Vërmicës është i shtuar për shkak të kthimit të pushuesve nga festat e fundvitit.

Policia apelon që drejtuesit të përdorin goma dimri, të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë shenjat e trafikut. Segmentet rurale mbeten të kalueshme, ndërsa kriposja e rrugëve po vazhdon për të siguruar qarkullimin.