VIDEO/ Terapia e artit nxit emocionet tek fëmijët

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar videokartolinën e urimit për festat e fundvitit, të përcjellë nga profesionistë dhe kujdestarë që punojnë çdo ditë me përkushtim për fëmijët me aftësi ndryshe dhe ata pa kujdes prindëror, pjesë e Shërbimit Social.

Në videomesazh, Edlira Tagani, terapiste arti pranë Qendrës së Zhvillimit “Pëllumbat”, shprehet se prej 33 vitesh është pjesë e jetës së fëmijëve me aftësi ndryshe. Ajo thekson rolin e terapisë së artit në shprehjen e emocioneve dhe ndjenjave të fëmijëve përmes ngjyrave dhe figurave në telajo.

“Përmes terapisë së artit mundohem të nxis emocionet dhe ndjenjat e tyre. Këtyre fëmijëve duhet t’u dhurojmë sa më shumë dashuri dhe përkrahje. Gëzuar dhe sa më shumë dashuri për njëri-tjetrin,” u shpreh Tagani.

Një tjetër mesazh vjen nga Zhuljeta Grabocka, e njohur si “gjyshja” e fëmijëve të Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”. Ajo tha se është gjyshja e 40 fëmijëve dhe se çdo ditë e kalon pranë tyre, duke u mbushur me dashurinë, paqen dhe mirësinë e shpirtit të tyre.

“Nuk është e lehtë, por çdo sakrificë ia vlen për ta. Jeta është e shtrenjtë dhe e bukur. Rruga drejt lumturisë arrihet vetëm me përpjekje,” tha Grabocka, duke uruar fëmijët për Vitin e Ri 2026. “Për ju është e ardhmja, për ju çdo sakrificë dhe çdo përpjekje.”

Videokartolina përcjell mesazhe solidariteti, dashurie dhe përkushtimi, duke vënë në qendër rëndësinë e kujdesit për fëmijët më në nevojë gjatë festave të fundvitit.