Kreditimi i ekonomisë u rrit me 12,8% në 11-mujorin 2025
Kreditimi i ekonomisë nga sektori bankar ka vijuar tendencën rritëse gjatë vitit 2025, duke reflektuar kërkesë të lartë për hua dhe kapacitete të qëndrueshme financiare të bankave.
Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në periudhën janar–nëntor 2025, kredia e re e dhënë nga bankat arriti në 374,4 miliardë lekë, ose 12,8% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e kreditimit po mbështetet nga performanca pozitive e ekonomisë, kërkesa e shtuar për financim, si dhe nga pozita e shëndoshë financiare e sektorit bankar.
Pesha kryesore në zgjerimin e kreditimit gjatë vitit 2025 i takon individëve. Kredia e re për këtë segment arriti në 114,7 miliardë lekë, duke u rritur me 21,7% krahasuar me një vit më parë.
Rritja është evidentuar si në huatë për blerjen e banesave, ashtu edhe në kreditë konsumatore, duke reflektuar rritjen e besimit dhe të nevojave financiare të qytetarëve.

