VLORA 5 DITË PA UJË/ Qytetarët protestojnë para bashkisë, tensione midis banorëve dhe policisë (PAMJET)
Dhjetëra qytetarë janë mbledhur në një protestë masive para Bashkisë së Vlorës, duke shprehur zemërimin e tyre për mungesën prej pesë ditësh të ujit të pijshëm në qytet.
Me thirrjet “Jepni dorëheqjen!”, protestuesit kanë kërkuar llogari nga drejtuesit lokalë për situatën, e cila, sipas tyre, ka arritur në prag të një epidemie.
Një prej protestuesve e ka cilësuar gjendjen si “të jashtëzakonshme”, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të prefektes dhe ministrive përkatëse.
Ai akuzoi drejtuesit për “propagandë” në lidhje me ardhjen e pjesëve të këmbimit nga Selaniku apo Mali i Zi, duke theksuar se miliona euro janë tenderuar ndër vite pa sjellë asnjë zgjidhje.
Qytetarët kanë deklaruar se mungesa e ujit po u vështirëson jetën e përditshme.

Sipas protestuesve, Bashkia e Vlorës është kthyer në një “institucion turpi”, i cili prej 26 vitesh keqmenaxhon dhe ka “katandisur Vlorën në këtë derexhe”. Protestuesit kërkuan që kryetarja e bashkisë, si dhe ish-drejtuesit e mëparshëm, të japin llogari për situatën e krijuar. Ata theksuan se protesta e tyre nuk ka prapavijë politike, por është një reagim i qytetarëve vlonjatë të cilët ndihen të braktisur dhe kërkojnë zgjidhje për problemet bazike si furnizimi me ujë dhe kanalizimet.
Pjesë nga deklarata:
Të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Vlorë ose kryetari i Bashkisë të japë dorëheqje dy rrugë. Të shpallet gjendje e jashtëzakonshme. Të vijë prefektja, kryetarja e Bashkisë, të vijë ministri përkatës, të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme në Vlorë. Vlora është në alarm.
Vlora kaloi në ditën e pestë pa ujë. Ka katër ditë vetëm propagandë dhe vetëm propagandë. Jo, do vijë pjesa nga Selaniku, jo, do vijë nga Mali i Zi. Por pjesët kanë qenë këtu; janë tenderuar miliona euro. Miliona euro. Bashkia ky është institucioni i turpit, i uzurpatorëve që kanë 26 vjet. E kanë katandisur Vlorën në këtë derexhe. Vlora nuk është më Vlorë si pasojë e këtyre personave që dje donin të bënin mbrëmje gala. Po galaja e vërtetë, koncerti i qytetarëve, është ky. Është para Bashkisë së turpit.

Para Bashkisë së… Zonja e 7%-it, të dali dhe të japë llogari për 26 vitet e keqmenaxhimit që i kanë bërë Vlorës. E kanë katandisur pa rrugë, pa ujë, pa kanalizime. Sot Vlora nuk është më Vlorë. Dhe turpi ka një emër: është Bashkia e Vlorës. Kryetarja e Bashkisë, ai që iku dhe ata që kanë qenë para kësaj, të vijë të japë përgjigje para qytetarëve. Ne jemi vlonjatë, nuk jemi as militantë, nuk jemi as nga qytete të tjera. Jemi vlonjatë.

