Ndërrimi i viteve, fluks udhëtarësh në Kapshticë dhe Kakavijë
Pikat e Kalimit Kufitar të Kapshticës dhe Kakavijës kanë shënuar fluks të lartë udhëtarësh që vijnë për festat e fundvitit nga shteti fqinj, Greqia.
Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole tha sot për ATSH-në se “lëvizjet në kufi gjatë ditëve të fundit janë më të shumta në drejtim të hyrjes në Shqipëri, pasi emigrantë të shumtë shqiptarë kthehen për të kaluar festat pranë familjeve të tyre. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Policisë së Kalimit Kufitar të Kapshticës vetëm gjatë 24 orëve të fundit nëpërmjet PKK Kapshticë kanë hyrë dhe dalë 8424 shtetas me 3046 mjete. Konkretisht kanë hyrë në vendin tonë 6907 shtetas me 2485 mjete si dhe kanë dalë 1517 shtetas me 561 mjete”.
Sipas tij, për të përballuar fluksin e shtuar të udhëtarëve dhe mjeteve Policia Kufitare është angazhuar për të shmangur krijimin e radhëve dhe për të minimizuar kohën e pritjes.
Ndërsa Drejtoria e Kalimit Kufitar të Kakavijës bën të ditur se në 24 orët e fundit janë përpunuar 10.087 shtetas në hyrje-dalje, nga të cilët 8537 në hyrje dhe 1550 në dalje, si dhe 2902 mjete në hyrje-dalje, nga të cilat 2413 në hyrje dhe 489 në dalje.
Autoritetet kufitare u bëjnë thirrje udhëtarëve të planifikojnë lëvizjet dhe të respektojnë rregullat, pasi fluksi pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim.
