PROPOZIMI/ Hiqen barrierat për shërbimet turistike shqiptare në tregun rajonal

Agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë shqiptarë do të mund të ofrojnë shërbimet e tyre më lehtë në vendet e rajonit, pa u përballur me procedura të përsëritura licencimi.

Këshilli i Ministrave i propozon Kuvendit ratifikimin e vendimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, “Për lehtësimin e tregtisë së shërbimeve të ofruara nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë”.

Sipas relacionit shoqërues, vendimi synon që rregullat për ushtrimin e aktivitetit turistik të mos kthehen në barriera për tregtinë e shërbimeve, duke garantuar trajtim të barabartë dhe mosdiskriminim për operatorët nga vendet e CEFTA-s.

Një element i rëndësishëm i vendimit është mundësia që shërbimet turistike të ofrohen edhe përkohësisht në vendet e tjera të rajonit, pa qenë e nevojshme hapja e një zyre apo marrja e një licence të re, çka pritet të rrisë konkurrencën dhe bashkëpunimin rajonal në turizëm.

Projektligji është pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të Marrëveshjes së CEFTA-s dhe zhvillimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, të modeluar sipas parimeve të Bashkimit Evropian.