Projekti i ri për rrjetin e ujësjellësit në Gjirin e Lalëzit
Ujësjellësi i Durrësit parashikon që, përmes një investimi rreth 650 mijë euro, të ndërhyjë për përmirësimin e furnizimit me ujë në disa zona me boshllëqe të theksuara në pjesën turistike të Gjirit të Lalëzit.
Procedura e çelur këtë të mërkurë nënvizon se bëhet fjalë për një projekt “çelësa në dorë”, i cili përfshin të gjitha fazat, nga projekt-ideja deri te zbatimi i plotë.
“Projekti ‘Furnizimi me ujë i zonës së Gjirit të Lalëzit’ është bazuar në nevojën për sigurimin e një furnizimi të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm me ujë të pijshëm për popullsinë e zonës, duke përfshirë fshatin Fushë-Draç dhe zonat turistike, si dhe në domosdoshmërinë për përmirësimin e kapacitetit dhe funksionalitetit të rrjetit ekzistues të ujësjellësit.
Ky projekt synon të adresojë boshllëqet në linjat kryesore dhe shpërndarëse, si dhe të garantojë presion optimal dhe debit të mjaftueshëm në të gjitha nyjet e rrjetit”, thuhet në dokumentet e procedurës.
Po ashtu, specifikohet se për realizimin e projekt-idesë dhe projektit të plotë të zbatimit është parashikuar një periudhë 30-ditore nga data e lidhjes së kontratës, ndërsa afati për kryerjen e punimeve të ndërtimit do të jetë 5 muaj nga data e lirimit të sheshit të ndërtimit.
Në dokumentacionin shoqërues, Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës argumenton se kjo ndërhyrje synon sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm dhe cilësor me ujë të pijshëm për popullsinë dhe zonat turistike, përmes kompletimit dhe rritjes së kapacitetit të rrjetit ekzistues.
Projekti parashikon përmirësimin e eficiencës dhe menaxhimit të sistemit, reduktimin e humbjeve, garantimin e sigurisë dhe standardeve të ujit, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë së rrjetit për t’u përballur me nevoja aktuale dhe zhvillime të ardhshme urbane e turistike.
