Vendimi / Taksa e re për pasuritë e paluajtshme, njoftimet për detyrimin do gjenerohen në e-Albania

 

Nga viti 2028 qeveria parashikon të nisë zbatimin e ligjit të ri për taksimin e pasurive të paluajtshme për ndërtesat e banimit, ndërsa nga 2030 do të nisë zbatimin taksimi për truallin.

Ndërsa periudha nga  2026 deri 2027 në do të shërbejë si fazë tranzitore deri në aplikimin e ligjit të ri.

Po ashtu Ministria e Financave parashikon që brenda vitit 2026, të gjitha bashkitë të jenë të integruara në sistemin e Kadastrës Fiskale. Ky është konsideruar edhe  parakushti thelbësor për çdo hap të mëtejshëm.

Në kuadër të këtij procesi Këshilli i Ministrave miratoi disa ndryshime në vendimin nr.171, datë 28.3.2018,  të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme  të Taksës së Pasurisë”.

Vendim përcakton ndryshime në organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, duke theksuar rolin e saj në mbështetje të bashkive për administrimin e taksës mbi pasurinë e paluajtshme.

Drejtoria ka përgjegjësi për menaxhimin e regjistrit qendror të pasurive (Kadastra fiskale), përditësimin e të dhënave, asistencën teknike ndaj bashkive dhe zbatimin e legjislacionit për taksën mbi ndërtesat.

Ajo gjithashtu monitoron saktësinë e të dhënave, verifikon përputhshmërinë e vendimeve të këshillave bashkiakë me ligjin, asiston në shërbimin ndaj taksapaguesve dhe organizon fushata informuese. Drejtoria bashkëpunon me institucionet shtetërore si AKSHI, përgatit manuale dhe trajnon stafet e bashkive, dhe informon periodikisht ministrin e Financave mbi ecurinë e procesit dhe të ardhurat e mbledhura.

Ndër të tjera vendimi gjithashtu parashikon që Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë të asistojë bashkitë në regjistrimin e pagesave të taksës mbi pasurinë e paluajtshme në pikat e autorizuara, si dhe përmes portalit “e-Albania”.

Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë do të japë udhëzime për llogaritjen e taksës dhe për procesin e dërgimit të njoftimeve të vlerësimit të taksapaguesve, duke siguruar që pagesat të kryhen korrekt dhe në kohë. Gjithashtu, Drejtoria monitoron dhe verifikon saktësinë e të ardhurave të mbledhura nga këto taksa.

Vendimi ngarkon Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë e Taksës për zbatimin e tij dhe hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

Pikat 2 dhe 3, të vendimit nr.171, datë 28.3.2018, të Këshillit të Ministrave ,“Për organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë”,  ndryshohen, si më poshtë vijon:

“2. Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë ka si mision kryesor mbështetjen e njësive të vetëqeverisjes vendore (bashkitë) në zbatimin e legjislacionit që rregullon taksën mbi pasurinë e paluajtshme.