VIROZA ME TEMPERATURË E KOLLË/ Mjekët: Shenjat tek fëmijët kur duhet të kërkoni menjëherë trajtim
Këto ditë dhjetori kanë sjellë shtim të virozave te fëmijët, sidomos në çerdhe dhe kopshte. Mjekët kërkojnë kujdes nga prindërit dhe shmangie të antibiotikëve pa konsultë
Temperaturë, kollë, rrjedhje hundësh, diarre dhe të vjella janë simptomat më të shpeshta që shoqërojnë virozat e stinës që po prekin fëmijët këto ditë dhjetori.
Pediatri Bektash Mandri shprehet se kjo situatë është e pritshme për këtë periudhë të vitit, por kërkon vëmendje të shtuar nga prindërit.
Ai thekson se antibiotikët nuk kanë vend në trajtimin e virozave, përveç rasteve kur konfirmohet një infeksion bakterial, pasi përdorimi i panevojshëm i tyre jo vetëm që nuk ndihmon, por mund të sjellë pasoja afatgjata për shëndetin e fëmijëve.
Prindërit këshillohen të tregojnë kujdes të veçantë dhe t’i drejtohen menjëherë mjekut nëse fëmija ka temperaturë të lartë që zgjat disa ditë, refuzon ushqimin dhe lëngjet, shfaq lodhje të theksuar apo vështirësi në frymëmarrje.
Për parandalimin e virozave, specialistët theksojnë rëndësinë e higjienës personale, larjes së shpeshtë të duarve, ajrosjes së ambienteve dhe izolimit të përkohshëm të fëmijëve të sëmurë.

