ERDHËN FESTAT/ Fluks i shtuar në pikën kufitare të Kapshticës në vigjilje të Krishtlindjeve

Në vigjilje të Krishtlindjeve është shënuar një fluks i shtuar i lëvizjeve në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Sipas autoriteteve doganore, fluksi më i madh paraqitet në hyrje të territorit shqiptar, pasi shumë shtetas shqiptarë po kthehen nga Greqia për të festuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri pranë familjarëve të tyre.

Për përballimin e situatës, aktualisht po punohet me tre sportele në hyrje dhe dy sportele në dalje, ndërsa janë vënë në funksion edhe dy sportele të posaçme për autobusët. Gjithashtu, ka nisur regjistrimi me procedurë të përshpejtuar për mjetet me targa greke.

Pavarësisht fluksit të shtuar të mjeteve dhe udhëtarëve, Policia Kufitare po menaxhon situatën për të shmangur radhët e gjata dhe për të reduktuar kohën e pritjes.