Në pranga 31-vjeçari me precedent penal, i dyshuar për kanosje me armë
Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Autorësia”, duke kapur dhe ndaluar një shtetas të shpallur në kërkim për kanosje me armë zjarri.
Sipas uniformave blu, rreth mesnatës së datës 16 tetor 2025, në fshatin Fllakë, një shtetas u kanos me armë zjarri për motive të dobëta. Pas administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, lokalizuan autorin e dyshuar.
Në kuadër të operacionit u kap dhe u ndalua shtetasi G. G., 31 vjeç, banues në Tiranë, person me precedent penal, Glerad Gusholli, alias (Berdica).
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin e datës 1 nëntor 2025, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
