Parakalim i gabuar/ Aksident në aksin Lushnje-Fier, disa të lënduar

Një aksident ka ndodhur sot në autostradën Lushnje-Fier, në afërsi të “Pushimit të Shoferit”, pas një parakalimi të gabuar.

Sipas informacioneve nga Policia e Qarkullimit, dy mjete janë fërkuar gjatë tentativës për të kaluar njëri-tjetrin. Si pasojë, një fuoristradë tip ‘Volvo’ ka përfunduar e bllokuar në mes të barrierave ndarëse të kaheve të lëvizjes. Të dy automjetet po lëviznin drejt Fierit kur ndodhi incidenti.

Policia ka marrë masa menjëherë në vendngjarje, duke dokumentuar rastin dhe duke disiplinuar trafikun. Në vendngjarje kanë shkuar edhe dy ambulanca, por fatmirësisht, të aksidentuarit nuk kanë pësuar lëndime serioze.

Autoritetet apeluan për kujdes në autostradë dhe respektimin e rregullave të qarkullimit për të shmangur aksidentet e ngjashme.