Përpunuesit e qumështit, në rreth vicioz

 

Pritshmëritë për rritje të konsumit të produkteve të bulmetit gjatë sezonit turistik nuk u realizuan, duke sjellë krijimin e stoqeve të pashitura te përpunuesit vendas. Fabrikat e qumështit raportuan mbiprodhim, veçanërisht të djathit të bardhë, i cili u shit me ulje çmimi, kryesisht për sektorin HoReCa, për shkak të kostove të larta të magazinimit dhe nevojës për likuiditet.

Sipas përpunuesve, kërkesa gjatë verës mbeti në nivele të ngjashme me vitin e kaluar, ndërsa ardhja e turistëve të huaj nuk solli rritjen e pritshme të konsumit, pasi turistët e diasporës dhe nga Kosova u reduktuan dhe turistët e huaj parapëlqyen produkte të importuara.

Rritja e prodhimit vendas dhe rënia e kërkesës çuan në uljen e çmimit të qumështit për grumbullim me rreth 10% në disa zona. Aktualisht, çmimi i qumështit të lopës për fermerët varion nga 56–63 lekë për litër (pa TVSH). Megjithatë, në disa rajone çmimet kanë mbetur të pandryshuara.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2024 u grumbulluan 95 mijë tonë qumësht, 6.6% më pak se në vitin 2023, si pasojë e rënies së numrit të krerëve të bagëtive. Numri i lopëve ra me 3.5%, ndërsa u shënua rënie edhe te delet dhe dhitë, përjashtuar disa qarqe ku pati rritje.

Importet e qumështit dhe qumështit pluhur ranë gjatë vitit 2025, të ndikuara nga rritja e prodhimit vendas dhe ulja e çmimeve në Europë. Qumështi i importuar tregtohet me çmime më të ulëta, duke rritur presionin konkurrues mbi prodhuesit vendas.

Përpunuesit theksojnë se, pavarësisht rënies së kërkesës, kostot e prodhimit mbeten të larta për shkak të çmimit të lartë të lëndës së parë, pagave dhe taksave. Për këtë arsye, nuk parashikohet ulje e çmimeve të produkteve të bulmetit.

Sektori përballet edhe me probleme cilësie dhe formalizimi. Vetëm një pjesë e vogël e përpunuesve përmbushin standardet e BE-së. Industria vlerëson pozitivisht rikthimin e skemës së kompensimit të TVSH-së për fermerët dhe kërkon uljen e TVSH-së për qumështin, për të ulur kostot dhe për të mbështetur konsumatorët.