VIDEO/ UAMD feston 20-vjetorin e themelimit në Durrës
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Kumbaro vuri theksin te roli i universiteteve si motorë zhvillimi, si dhe te domosdoshmëria e profilizimit dhe ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë shqiptar.
“Universitetet nuk janë ishuj. Ato marrin identitet nga territori dhe i japin territorit vizion. Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’ është shembull i një rritjeje të përbashkët me qytetin e Durrësit dhe me ekonominë e tij”, u shpreh ministrja.
Kumbaro theksoi se viti 2026 do të shënojë buxhetin më të lartë historik për arsimin, ndërsa për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor janë parashikuar 185 milionë euro, duke përfshirë edhe të ardhurat e vetë universiteteve publike.
Sipas saj, UAMD hyn në një fazë të re zhvillimi, me investime konkrete në Fakultetin e Studimeve Profesionale, projektimin e kampusit të ri universitar përmes një konkursi ndërkombëtar dhe një strategji të qartë profilizimi përmes ndërkombëtarizimit 2025–2030.
Nga ana e tij, Rektori i UAMD-së, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, u ndal te rrugëtimi 20-vjeçar i universitetit, zgjerimi i programeve të studimit dhe projektet strategjike në proces, duke theksuar vizionin për një universitet modern, të hapur dhe konkurrues në hapësirën europiane të arsimit të lartë.
Ceremonia shërbeu si një moment reflektimi për arritjet e deritanishme dhe si pikënisje për fazën e re të zhvillimit të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, në shërbim të studentëve, qytetit të Durrësit dhe vendit.

