Fluks udhëtarësh në Portin e Durrësit, rreth 13 mijë priten deri të dielën
Në Portin e Durrësit kjo fundjavë ka shënuar nisjen e fluksit të hyrje-daljeve të udhëtarëve me rastin e festave të fundvitit.
Për përballimin e këtij fluksi prej 18 dhjetorit kanë nisur edhe lundrimet e dyfishta të trageteve (vajtje–ardhje brenda ditës) në linjat që lidhin Durrësin me portet fqinje të Italisë.
Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur sot për ATSH-në se “gjatë dy ditëve të fundit, 18 dhe 19 dhjetor në port kanë mbërritur rreth 5600 udhëtarë. Fluksi më i lartë i udhëtarëve pritet të jetë të dielën”.
Sipas APD-së, në këto katër ditë pritet që të mbërrijnë 13 mijë udhëtarë dhe rreth 5 mijë mjete.
“Lundrimet e dyfishta do të kryhen deri në fund të vitit nga e enjtja deri të dielën, ndërkohë strukturat portuale dhe instancat operuese janë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e intensitetit të shtuar të lëvizjeve”, tha APD duke shtuar se në port po kryhet në kohë dhe pa vonesa përpunimi i pasagjerëve dhe mjeteve.
Si çdo fundviti edhe në ndërrimin e viteve 2025-2026 parashikohet një rritje e ndjeshme e numrit të bashkatdhetarëve që preferojnë të udhëtojnë me tragete drejt portit të Durrësit, për t’iu drejtuar më pas familjeve të tyre.

