Pagesat direkte për fermerët/ Kuçi: Miratohet pagesa e plotë 100% për të gjithë të kualifikuarit
E ftuar në emisionin “Alert” në “Ora News”, Ardita Kuçi, drejtoresha e përgjithshme e AZHBR-së, dha detaje mbi ecurinë e skemës kombëtare të pagesave direkte, duke theksuar se, me aktin normativ të miratuar, të gjithë fermerët e kualifikuar do të përfitojnë pagesën e plotë 100%.
" Skema kombëtare e pagesave direkte, pra kemi dy skema të cilat janë pagesat direkte për fermerët dhe skemën e investimeve.
Skema e pagesave direkte është hapur në 24 prill të këtij viti dhe është mbyllur më 30 maj.
Deri më sot, nga kontrolli administrativ i 69 mijë e 917 aplikimeve që kemi marrë nga skema direkte janë paguar rreth 65 mijë fermerë me një buxhet total prej 2.6 miliard lekësh, nga buxheti i përgjithshëm 2.99 që ka qenë buxheti fillestar i vendosur në dispozicion nga Ministria e Financave në fillim të vitit dhe në çelje të thirrjes.
Ajo që dhe kryeministi konfirmoi në takimin e Elbasanit të ditës së hënë, por gjithashtu edhe e vendosur sot me Këshillin e Ministrave është akti normativ i cili na jep gjithë diferencën e mbetur të 50% për të paguar në 100% të gjithë fermerët e kualifikuar. Do të thotë që të gjithë fermerët që janë kualifikuar dhe kanë marrë këstin e parë prej 50% të pagesës së tyre të skemës direkte do të paguhen 100% me vlerën e plotë të aplikuar", u shpreh Kuçi.
