Rrapaj: Pa kontrata dhe arbitrazh, fermerët mbeten në mëshirë të tregjeve që vendosin çmimet sipas dëshirës
Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, në emisionin "Alert" në "Ora News" ngriti shqetësime mbi funksionimin e tregjeve dhe mungesën e kontratave në zinxhirin e prodhimit bujqësor, duke e cilësuar situatën si një problem të vjetër për fermerët.
" Autoriteti i Konkurencës e ka bërë punën e vet dhe ka dhënë ato rezultate që ka dhënë. Ky nuk është një problem i sotëm, por është një problem që ka vazhduar prej kohësh dhe vitesh.
Në kohën që kishte Tirana vetëm një treg, edhe mund të flisnim dhe të thonim që ishte një treg monopol dhe vendosin këto çmime. Tashmë është dhe një treg tjetër.
Këto tregje janë tregje autoritare që vendosin çmime sipas dëshirës së tyre, dhe jo sipas kërkesës dhe ofertës. Kjo e bën më të vështirë problemin për ta gjykuar. Ka një moment që duhet theksuar dhe rregulluar. Që do të ndodhi dhe në të ardhmen kështu, kjo nuk përjashtohet. Por, në qoftë se ne nuk do të bindim prodhuesin, grumbulluesin, transportuesin dhe këtë shitësin përfundimtar që të punojë me kontratë ne nuk kemi për t'ia dal mbanë.
E vetmja zgjidhje është kjo që ne të kemi mundësi të gjykojmë kontratën. Kontrata kërkon dhe arbitrazhin. Ne nuk e kemi, por kjo është domosdoshmëri. Këta çojnë mallin atje dhe ai thotë kaq e marr,po deshe merre po deshe jo.
Ky është problem i madh i një grupi të madh të fermerëve", u shpreh Rrapaj.
