Tentuan të kalonin kufirin në Rinas me pasaporta të falsifikuara, arrestohen tre shtetas turq
Policia Kufitare në Rinas ka konstatuar një rast kalimi të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara.
Bëhet fjalë për tre shtetas turq tëu arrestuan në flagrancë pasi tentuan të udhëtonin me pasaporta dhe leje qëndrimi të falsifikuara.
Kontrolli më i detajuar zbuloi se dokumentet ishin jo të sakta, ndërsa hetimet shtesë nxorën në dritë edhe materiale të tjera të falsifikuara.
Rasti iu referua Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Policia Kufitare Rinas
Goditet një tjetër rast i tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit, me dokumente të falsifikuara.
Arrestohen në flagrancë 3 shtetas turq.
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, gjatë kontrolleve të detajuara të dokumentacionit të shtetasve që hyjnë dhe dalin në këtë pikë kalimi kufitar, evidentuan dhe goditën një rast të tentativës për kalim të paligjshëm, me dokumente false.
Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestuan në flagrancë shtetasit:
B. K., 23 vjeç, C. S., 23 vjeç dhe A. S., 43 vjeç, të tre me kombësi turke, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim, si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Gjatë kontrollit të dokumentacionit, në dalje, shtetasi B. K., i cili do të udhëtonte në itinerarin “Tiranë-Barcelonë”, ka paraqitur pasaportë turke dhe një leje qëndrimi polake, për të cilën shërbimet e Policisë Kufitare dyshuan se ishte e falsifikuar dhe, për këtë arsye, e kaluan në vijë të dytë, për kontroll më të detajuar. Nga ekzaminimi në laborator, dokumenti (leja e qëndrimit polake) rezultoi i falsifikuar.
Si rezultat i veprimeve të kryera nga Policia e Rinasit, për verifikimin e plotë të këtij rasti, u identifikuan edhe 2 shtetasit e tjerë turq, të cilët kishin ardhur së bashku dhe e kishin mbajtur në vëzhgim shtetasin B. K.
Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve, shërbimet e Policisë Kufitare i gjetën shtetasit C. S., një leje qëndrimi çeke, e cila pas ekzaminimit në laborator rezultoi e falsifikuar.
Ndërsa shtetasi A. S. ishte me leje qëndrimi franceze të rregullt, por në vijim të veprimeve të tjera hetimore, gjatë këqyrjes së celularit, iu gjetën foto të dokumenteve të ndryshme të falsifikuara të disa shtetasve.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Policia Kufitare Rinas mbetet e angazhuar për garantimin e lëvizjes së lirë të shtetasve, menaxhimin e fluksit, si dhe për evidentimin, parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie.
