“Plumbi i artë”/ Dëshmon pronari i shkollës private që i shpëtoi atentatit
Pronari i një shkollë private në Tiranë, Lulzim Masha, rrëfen me detaje momentet e tmerrit kur i shpëtoi atentatit të armatosur në mes të qytetit.
Në dëshminë e tij në gjykatë, ai përshkruan si u përball me rrezikun, pa pasur asnjë konflikt apo borxh me dikë, dhe falë një çasti të fatit, shpëtoi pa lëndime.
Për këtë episod akuzohet se u angazhua vrasësi me pagesë Skerdi Tasi, i cili është kthyer në bashkëpunëtor drejtësie.
Lulzim Masha në GJKKO:
“Unë përdor një Benz ML prej shumë vitesh, po shkoja si zakonisht te shkolla kur dëgjova 2-3-4 krisma. Nuk e kuptova çfarë ndodhi, e pashë nga pasqyra që një djalë i gjatë po mbushte armën. Unë e ktheva makinën dhe thashë: ‘Çfarë ndodhi?’ Ai iku me vrap. Lajmërova policinë sepse pashë gëzhojat në vendngjarje. Nuk kam pasur asnjë konflikt me njeri apo ndonjë shqetësim. Zoti deshi që shpëtova dhe jam këtu sot të dëshmoj. Si i thonë, jetgjati zbehet, jetë e shkurtër.
Isha vetëm në makinë, plumbat ishin nga krahu i shoferit tek tranversa e derës. Nuk e lidh dot këtë ngjarje me asgjë. Jam njeri i rregullt, nuk di kujt t’i vë emër, nuk njoh asnjë nga këta persona. Në trotuar, kur më qëlluan, ishin dy topografë që po masnin rrugën. Shumicën e rasteve shkoj me bashkëshorten në punë; atë ditë, si rrallë herë, isha vetëm.
Atentatori po më priste tek një kthesë e fortë ku ulet shpejtësia. Ai po rrinte te trotuari kur ecin njerëzit për vrap, sport. Nuk kam kujt as 1 euro borxh. Djali im, Adriani, ka bizneset e veta dhe një shkollë në Tetovë. Ditën e ngjarjes ai ishte këtu në Tiranë. Jetonte mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai është shumë i rregullt, nuk ka vese. Në dijeninë time, nuk ka pasur asnjë konflikt apo borxh, kurrë. Suel Çelen se njoh as, se kam takuar ndonjëherë, vetëm ca kam dëgjuar në TV.”
