Rritet volumi i shitjeve në tregtinë me pakicë në tremujorin e tretë 2025

Volumi i shitjeve në tregtinë me pakicë shënoi rritje të qëndrueshme në tremujorin e tretë të vitit.

Sipas INSTAT, indeksi i volumit të shitjeve u rrit me 6,0% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. I përshtatur sezonalisht, ky tregues u rrit me 1,4% në krahasim me tremujorin paraardhës.

Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë hidrokarburet, volumi i shitjeve u rrit me 5,2% në bazë vjetore. Ndërkohë, tregtia me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara regjistroi një rritje më të lartë, prej 8,6%, krahasuar me tremujorin e tretë 2024.

Në terma tremujorë, të dhënat e përshtatura sezonalisht tregojnë se volumi i shitjeve u rrit me 1,3% në tregtinë me pakicë pa hidrokarbure dhe me 3,4% në tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, kundrejt tremujorit paraardhës.

Në rritjen vjetore prej 6,0% të volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë, grupi i artikujve jo-ushqimorë kontribuoi me 1,8 pikë përqindje, po aq sa edhe grupi i ushqimeve, pijeve dhe duhanit.

Ndërsa tregtia me pakicë e hidrokarbureve dha kontributin më të lartë, me 2,4 pikë përqindje.

Sipas INSTAT, këta tregues konfirmojnë vijimin e rritjes së konsumit dhe dinamizmin e aktivitetit tregtar në vend gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025.