VËRNIKU, “SYTË” NGA BULLGARIA! Fshati në Devoll pa zë fëmijësh. Nga qindra banorë, vetëm 30 familje

Vërniku, fshati i Devollit, po zbrazet gradualisht dhe sot jeton pa fëmijë e pa shërbime bazë, me vetëm rreth 30 familje të mbetura. Banorët thonë se i lënë pas dore nga institucionet shqiptare, ndërsa shpresën e vetme e shohin “me sytë nga Bullgaria”.

Jeta duket sikur  është ndalur në kohë! Këto pamje vijnë nga fshati Vërnik, që ndodhet vetëm pak minuta larg qytetit të Bilishtit dhe që po bëhen gjithmonë e më të zakonshme për zonën.

Largimi masiv i banorëve e ka prekur thellë këtë fshat, duke e lënë thuajse jashtë ritmit të jetës normale.

Dyert e shtëpive janë të mbyllura, rrugicat me kalldrëm rrallë shkelën nga këmbë njerëzish, ndërsa dritaret prej vitesh nuk janë hapur.

Profesori dhe studiuesi Llazo Nestor tregon se në fshat kanë mbetur vetëm rreth 30 familje, ndërsa shumica e banorëve kanë marrë rrugën e emigrimit.

Zëri i fëmijëve nuk dëgjohet më në Vërnik. Nuk ka shkollë, e qendër shëndetësore funksionale. As ujësjellës dhe as kanalizime të ujërave të zeza.

Banorët thonë se një pjesë e përgjegjësisë i takon mungesës së investimeve ndër vite, duke shtuar se i vetmi shtet që është kujtuar për këtë komunitet ka qenë Bullgaria.

Kryeplaku i fshatit, Pandi Endriko, shprehet se qeveria shqiptare nuk është kujtuar asnjëherë realisht për këtë zonë, duke e lënë fshatin në harresë

Fati i Vërnikut nuk është i veçuar. Shumica e fshatrave të Devollit janë drejt boshatisjes, ndërsa banorët e mbetur theksojnë se mungesa e infrastrukturës dhe shërbimeve bazë mbetet arsyeja kryesore që i detyron të largohen, duke e lënë pas vendlindjen dhe rrënjët e tyre.