200 punëtorë të kompanisë nënkontraktore të Bankers ende pa paga! Naftëtari: Vijojmë protestat

Punonjës të Bankers Petroleum, të angazhuar kryesisht në punët teknike në fusha, kanë nisur sot një protestë për shkak të vonesave të vazhdueshme në pagesën e rrogave.

Sipas një prej naftëtarëve të kompanisë, situata ka nisur që në tetor, ndërsa disa punëtorë nuk kanë marrë pagat e tyre që nga muaji qershor.

“Kemi afat kohor për marrjen e rrogës dhe ende nuk na është hedhur, edhe pse kemi kërkuar disa herë përgjigje. Vetëm na thonë se është bllokuar dhe shitja po vonohet,” – shprehet një nga punëtorët, i cili punon si teknik në fushe.

Sipas tij, kjo nuk është vetëm një problem i njërës prej degëve, por i gjithë grupit kryesor, ku punëtorët mbeten të pambrojtur dhe pa informacion të qartë mbi pagesat.

Situata, siç thotë punëtori, është përkeqësuar që nga periudha e pandemisë COVID-19, kur aktiviteti ishte i kufizuar dhe kompanitë kishin ndaluar përkohësisht disa operacione.

Punëtorët paralajmërojnë se do të vazhdojnë protestat deri në zgjidhjen e situatës, duke kërkuar që drejtuesit e kompanisë të respektojnë të drejtat e tyre dhe të paguajnë rrogat e prapambetura.