Kremtohet 35-vjetori i PD, Pollo: Shpresa e vetme për ndryshim, opozita!
Partia Demokratike ka festuar 35-vjetorin e themelimit me një aktivitet ku morën pjesë figura të njohura dhe anëtarë të saj. Mesazhet kryesore të folësve u përqendruan në historinë e partisë, kritikat ndaj qeverisjes aktuale dhe thirrjet për shpresë e ndryshim, duke e pozicionuar opozitën si alternativën e vetme për vendin.
Ish opozitari, Genc Pollo theksoi se beteja për liri vazhdon edhe sot, 35 vite pas rënies së komunizmit. Ai deklaroi se demokratët gjenden përballë një “ushtrie të disiplinuar, madje një ushtrie mercenarësh”, duke iu referuar kundërshtarëve politikë. Sipas tij, Partia Demokratike është e mbushur me qendrestarë dhe idealistë, dhe ka si mision t’u kthejë lirinë shqiptarëve, duke qenë gati të paguajë çdo çmim për këtë qëllim.
Në fjalën e tij, Genc Pollo, bëri një pasqyrë të 35 viteve të historisë së partisë, duke theksuar vendimet me ndikim në jetën e qytetarëve. Ai përmendi arritje si pranimi në Këshillin e Evropës, anëtarësimi në NATO dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Pollo veçoi si një nga vendimet më themelore të qeverisjes së parë demokratike rikthimin e dinjitetit të njeriut përmes pronës private, duke i bërë shqiptarët pronarë të apartamenteve dhe tokave të tyre.
“Ishte një moment çlirimi që nuk është vlerësuar aq sa duhet,” u shpreh ai. Duke u ndalur te situata aktuale, Pollo kritikoi ashpër qeverisjen, duke thënë se të drejtat e njeriut dhe ato ekonomike janë të ngushtuara. Ai e cilësoi skandalin e mosshkarkimit të ministres Belinda Balluku si të jashtëzakonshëm dhe pa precedent.
Sipas tij, ajo që i dallon qytetarët është mënyra se si reagojnë ndaj skandaleve, duke vlerësuar protestuesit para Bashkisë së Tiranës si “pjesa më e ndërgjegjshme e këtij vendi”. Në mbyllje të fjalës së tij, Pollo theksoi se shpresa e vetme për ndryshim në Shqipëri është opozita dhe Partia Demokratike.
Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe anëtarëve të partisë për më shumë përpjekje dhe sakrifica, duke shtuar se ndryshimi, edhe pse mund të vonojë, varet nga vullneti dhe përpjekja e përbashkët. “Jo vetëm besimi nuk duhet humbur, por dhe përpjekja duhet shtuar,” përfundoi ai.

