Balliu: Opozita është tërhequr nga projekt-vendimi, çdo votim tani është antikushtetues

Deputeti i opozitës, Klevis Balliu duke marrë fjalën në foltoren e Kuvendit, akuzoi maxhorancën për shkelje flagrante të procedurave parlamentare dhe tentativë për të imponuar një kandidat në mënyrë të paligjshme.

Duke iu referuar pikës së rendit të ditës, deputeti theksoi se procesi bazohej në një "projekt-vendim" dhe jo në një projektligj. Sipas tij, ky fakt procedural është thelbësor, pasi opozita, si një nga nismëtarët e këtij projekt-vendimi, është tërhequr zyrtarisht nga procesi.

Duke cituar nenin 72 të rregullores së Kuvendit, i cili parashikon se "nismëtari mund ta tërheqë projektin e tij deri në çastin kur ai nuk është votuar në parim", ai argumentoi se vazhdimi i votimit është një akt antiligjor dhe antikushtetues.

"Opozita është tërhequr nga ky projekt-vendim. Neni 72 jua tregon. Pse po e vazhdoni këtë?" deklaroi Balliu, duke sfiduar kryesinë e seancës dhe deputetët e mazhorancës. Ai i akuzoi këta të fundit se po injorojnë me qëllim rregulloren për të kapur edhe institucionin e fundit të pavarur.

Balliu iu drejtua mazhorancës: "Tregohuni të sinqertë, duam ta marrim edhe këtë, merreni. Qysh keni marrë presidentin, ashtu merreni edhe këtë". Më tej, ai përdori emra të njohur të botës së krimit për të ilustruar, sipas tij, farsën në të cilën është kthyer procesi. "Ju mund të sillni dhe Suel Çelën, bëjeni Avokat të Popullit. Ose ndonjë Troplinin e Xhabaft. Merreni, silleni, votojeni, se ata ju dalin zot ju", tha ai, duke shkaktuar reagime në sallë.

Deputeti përfundoi fjalën e tij duke këmbëngulur se mazhoranca po shkel vetë rregullat që ka vendosur, pasi terminologjinë "projekt-vendim" e ka shkruar vetë në rendin e ditës. Ai i bëri thirrje mazhorancës ose t'i përmbahet ligjit dhe të ndërpresë procesin, ose të pranojë hapur se po përdor kartonin e votave për të anashkaluar çdo procedurë demokratike.

Tani unë po i përmbahem vetëm pjesës së procedurës që keni merak ju. Neni 72. Tërheqja e nismës. Nismëtari i projektligjit ose i projekt-vendimit mund ta tërheqë projektin e tij deri në çastin kur ai nuk është votuar në parim në seancë plenare. Tani, rendi i ditës që keni vendosur ju zotëri, këtu thotë, projekt vendim për zgjedhja e avokatit të popullit.

Mund ta kuptojmë ku është problemi? Opozita është tërhequr nga ky projekt vendim. Neni 72 jua tregon. Pse po e vazhdoni këtë? Tregohuni të sinqertë, duam ta marrim edhe këtë, merreni. Qysh keni marrë presidentin, atë biçim presidenti që kemi ne, siç keni marrë atë Pranvera Strakoshën, nënën e ortakut të Olsi-t, merreni! Po në qoftë se do i përshtatemi ligjit, në qoftë se do ndjekim ligjin dhe rregulloren, është kjo.

Ose na jepni librin tjetër që keni ju. Po neni 72 thotë këtë, dhe ju e keni shkruar në këtë seancë, projekt vendim. E keni shkruar ju, jo ne. Kryetar i kuvendit jeni ju, jo ne. Qeverinë e keni ju, jo ne. Dhe ju e keni shkruajtur projekt vendim. Atëherë, pse nuk po i përmbaheni kësaj rregullore dhe këtij ligji? Që ne të vazhdojmë përpara dhe të merremi me çështje të rëndësishme?

Ore ju mund të sillni dhe Suel Çelën, bëjeni avokat të popullit. O ndonjë Troplin e Xhabaft. Merreni, silleni, votojeni. Se ata ju dalin zot ju. Ju ata keni. Po në qoftë se do flasim pastaj për ligj, në qoftë se do flasim për moral, në qoftë se do flasim për rregullore, ato janë këtu. Këtë e keni sjellur ju, edhe e keni ndryshuar vetë këtë rregullore. Të gjitha i keni bërë vetë mo zotëri.

Ne po i përmbahemi çfarë keni shkruar ju, jo çfarë kemi shkruar ne. Tani në qoftë se ju doni ta vazhdoni këtë lojë, minimalja që po kërkojmë, jini të sinqertë. Votat i kemi, do zgjedhim atë që duam ne. Po jo të dilni atje të thoni, do ta zgjidhni ju, po do ta vendosim ne. Në qoftë se ju, të paktën për moral, minimalja e minimales, është të jeni të sinqertë atje. Ose, na thoni, ne i kemi thënë mirupafshim dhe moralit, dhe rregullores, dhe ligjit, dhe hajde ta zgjidhim punën ndryshe këtu në këtë parlament.

Se për sa kohë nuk dëgjohet më as ligj as rregullore, s'mbetet më vend për diskutime këtu. Nenin 72, projekt vendim, e keni shkruar ju këtu tek pika juaj. E keni shkruar ju, jo ne. Kjo është e juaja.