Zhupa në Kuvend: Projekti TID po shkatërron identitetin 3000-vjeçar të Durrësit
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka deklaruar ditën e sotme se projekti TID po shkatërron identitetin 3000-vjeçar të Durrësit. Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Zhupa u shpreh se projekti i fshehur nën emrin për përmirësimin e turizmit të Durrësit dhe në fakt është një projekt për shkatërrimin e trashëgimisë së Durrësit.
Ajo tha se sipas këtij plani do të shkatërrohen shumë banesa të qytetarëve të Durrësit. Deputetja opozitare tha se nuk mund të zhvillohet turizmi i një qyteti, duke i shkatërruar identitetin. Ajo tha se planin e një qyteti nuk mund ta bëjë një organizatë që ka interesa private, por ligji ia jep bashkisë ta bëjë vetë.
"Zoti kryetar, kam kërkuar këtë interpelancë në lidhje me projektin TID për Durrësin. Që në fakt është projekti i fshehur nën emrin për përmirësimin e turizmit të Durrësit dhe në fakt është një projekt për shkatërrimin e trashëgimisë së Durrësit. Konkretisht, po të shkoni në Durrës dhe të bëni një shëtitje tek Vollga, do të shikoni disa foto të Durrësit të vjetër. Me ato foto tregohet si ka qenë Durrësi, vendbanimet e Durrësit. E në fakt, ju doni që ato që tregohen në atë foto të shkatërrohen. Qyteti siç ka qenë 3000-vjeçar, të shkatërrohet. Banesat e qytetarëve, të cilët nuk janë prekur dhe janë banesa historike që kanë edhe tabela jashtë tyre, si mure historike, të shkatërrohen. Për shembull, banesa e Isuf Mehmetit ka përpara derës së tij mur i periudhës otomane i vitit 1502.
Kjo të shkatërrohet, ndërkohë që të ndërtohet një pallat ngjitur me të pa kaluar 50 metra. Arsyeja pse e thirra interpelancën është që ministri të na shpjegojë pse është kjo sjellje pushtuesish në Durrës? Pushtuesit kur shkonin në një qytet digjnin banesat, shkatërronin vendbanimet, sepse vendbanimet janë pjesë e trashëgimisë kulturore. Pse keni zgjedhur të jeni pushtues? Çfarë njohje keni bërë me zonën dhe si e keni bërë projektin? Dhe si keni zgjedhur kush do të ishin kriteret për banesat që duheshin prishur? E vetmja njohje me zonën ka qenë kjo: Elva Margariti me maskë, Sandër Çarrapuli dhe Martin Mata, në një shëtitje në Durrës ku thoshin, kjo do të prishet, kjo le të rrijë, kësaj t'i rri kati i lartë, kësaj t'i prishet kati poshtë. Dhe më pas u prodhua në një plan, që është plani më i turpshëm ndonjëherë i bërë për një qytet. Ky është plani i pushtuesve të Durrësit.
Ky është plani që të gjitha këto pikat e kuqe që ju shikoni këtu janë banesa që do t'i shkatërrohen qytetarëve të Durrësit. Ministri sot do të duhet të sqarojë qytetarët e Durrësit, pse pranë pikave të kuqe ka pika të bardha? Cilat janë kriteret që amfiteatri është këtu dhe prishen shtëpitë këtu te Tejani Kubuzeni? Cilat janë kriteret që dy banesa me të njëjtin mur, gjysma e banesës prishet dhe gjysma tjetër nuk prishet? Cilat janë kriteret që keni përdorur për të bërë këtë masakër të qytetit të Durrësit? Ky është përçudnim i trashëgimisë, përçudnim i identitetit të Durrësit. Durrësi është Durrësi dhe me vendbanimet që ka Durrësi.
Na e shpjegoi zoti ministër, a janë bërë konsulta me banorët siç e kërkon ligji? A janë informuar banorët para se t'i shkonte letra e shpronësimit? Të na tregojë ministri sot këtu se si mund të zhvillohet turizmi i një qyteti duke i shkatërruar identitetin dhe duke e bërë planin jo bashkia, me një plan të detajuar vendor dhe me një plan të përgjithshëm vendor, por duke e bërë ADF-ja, planin e një qyteti. Planin e një qyteti nuk mund ta bëjë një organizatë që ka interesa private, por ligji ia jep bashkisë ta bëjë. Pse nuk e bën dhe pse nuk e ka bërë? Dhe pse nuk bazohet në një plan të përgjithshëm vendor dhe një plan të detajuar vendor ky plan i shkatërrimit të Durrësit?," tha Zhupa.

