Debati politik në Kuvend/ Deputetja Muzhaqi: Komunikimi parlamentar lë për të dëshiruar, le të jetë procesi i integrimit një moment reflektimi

Deputetja e Partisë Socialiste, Bora Muzhaqi, në një prononcim të dhënë për Ora News gjatë intervistës me gazetaren Katerina Hysenllari, ka shprehur urimet dhe pritshmëritë e saj për kreun e ri të SPAK-ut, Klodian Braho, i cili sapo ka marrë detyrën në krye të institucionit më të rëndësishëm të hetimit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.

Gjatë deklaratës së saj, Muzhaqi theksoi se Partia Socialiste ka qenë që në fillim mbështetëse e fortë e Reformës në Drejtësi.

Bora Muzhaqi: “Uroj fort që, njësoj siç Partia Socialiste ka mbështetur Reformën në Drejtësi, të kemi një Prokuror i cili të tregojë integritet dhe të mund të zbatojë peshorën dhe balancën e drejtësisë.

Kemi gjithmonë nevojë për njerëz që kanë integritet në zbatimin e ligjit, kështu që i uroj suksese në detyrën e re dhe shpresoj që t’i përmbahet të gjitha kritereve ligjore që ka ky institucion kaq i rëndësishëm për vendin tonë.”

Një në lidhje të drejtpërdrejtë nga Parlamenti, Muzhaqi u ndal edhe tek debatet në seancë, për të cilat u shpreh se shpesh lënë për të dëshiruar.

“Mendoj që debati parlamentar lë shumë për të dëshiruar në aspektin e zhvillimit të tij. Shpesh kemi raste ku shkelet etika, ku shkelet forma e edukuar e komunikimit në këtë Kuvend.

Si deputete e re, mendoj se kemi shumë për të bërë për të qenë të sjellshëm me njëri-tjetrin,” u shpreh ajo.

Muzhaqi shtoi se plani për anëtarësimin në BE mund të shërbejë si një moment reflektimi dhe kuptimi për të ndryshuar.

“Në këtë pjesë, jo vetëm kolegët e rinj, por edhe kolegët e vjetër kanë shumë për të mësuar, dhe uroj fort që ky proces i integrimit në BE, plani për anëtarësimin në Bashkimin Europian, të shërbejë si një moment për të reflektuar dhe për të kuptuar që parlamenti ynë duhet të ndryshojë,” tha Muzhaqi.

Theksi u vu edhe tek të rinjtë shqiptarë, si mbështetësit më të mëdhenj të BE-së dhe kontribuesit kryesorë për procesin e integrimit.

“Mbi të gjitha, ata janë mbështetësit më të fortë për t’ju përafruar stilit të jetesës dhe standardeve të Bashkimit Europian.

Shpesh duket sikur Bashkimi ndodh vetëm në ato sallat e mbyllura dhe anëtarësimi është pjesë e proceseve ligjore vetëm.

Në këto katër vite kam kuptuar që të rinjtë shqiptarë janë më pranë BE-së se sa vetë politika ndonjëherë, ndaj ata janë shtylla kryesore në këtë proces.

Rinia shqiptare e ka përqafuar BE-në shumë më herët se të tjerët, ndaj duhet të ecim me hapa shumë të shpejtë që mos të mbetet më një pengesë, siç ka ndodhur për prindërit tanë.”, përfundoi Muzhaqi.