“Rrezikojnë hierarkinë njerëzore”/ 27 prej 46 vendeve të KE-së kërkojnë rishikim të rregullave për emigrantët
Komisioneri i Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut paralajmëron se disa qeveri europiane po rrezikojnë të krijojnë një hierarki njerëzish, duke kufizuar të drejtat e emigrantëve. Ndryshimet e kërkuara nga 27 vende, sipas ekspertëve mund të prekin jo vetëm emigrantët, por edhe protestues, të burgosur dhe persona në nevojë mjekësore.
Komisioneri i Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Michael O’Flaherty, ka paralajmëruar se qeveritë e vijës së ashpër në Europë, përfshirë Britaninë po rrezikojnë t’i ndajnë njerëzit në klasa, teksa përpiqen të frenojnë emigracionin duke kufizuar të drejtat themelore.
Sipas tij ndarja e të drejtave të qytetarëve në vendas dhe emigrantë, bie ndesh me parimin që të gjithë duhet të kenë të drejta të barabarta.
Ai kritikoi politikanët e qendrës të cilët, sipas tij, po i hapin rrugë narrativave të populistëve të djathtë, duke e lidhur emigracionin me kriminalitetin në mënyrë të gabuar.
“Ky krahasim i thjeshtëzuar nuk përputhet me realitetin”, u shpreh komisioneri.
Paralajmërimi i tij vjen pas një deklarate jozyrtare të firmosur nga 27 prej 46 vendeve të Këshillit të Europës, që kërkojnë lejimin e marrëveshje të tipit Rëanda dhe dëbime të të huajve që kanë kryer vepra penale.
Deklarata sugjeron rishikimin e Neni 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut në mënyrë që shtetet të mund të marrin vendime më të rrepta për dëbime.
Po ashtu, kërkohet ndryshim i Neni 8, që mbron jetën private dhe familjare.
Profesorë dhe organizata të të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar se ndryshimet do të prekin jo vetëm emigrantët, por edhe protestuesit e arrestuar, personat që kanë nevojë për trajtim mjekësor dhe të burgosurit në kushte të vështira.

