Sergio Ramos i jep lamtumirën Monterrey-t, a do të jetë Milani destinacioni i legjendës spanjolle?
Sergio Ramos ka mbyllur zyrtarisht aventurën e tij me Monterrey-n.
Të dielën, në ndeshjen e fundit në transfertë kundër Toluca-s, 39-vjeçari zhvilloi paraqitjen e tij të fundit me fanellën e klubit meksikan dhe pas fundit të sfidës konfirmoi publikisht se cikli i tij në Meksikë ka përfunduar.
Ramos mori pak çaste për t’u përshëndetur me tifozët, duke falënderuar publikisht për mbështetjen dhe respektin gjatë kësaj periudhe.
Por një gjë është e qartë: karriera e tij nuk ka mbaruar ende.
Edhe pse është 39 vjeç, Ramos deklaroi se ndihet shumë mirë fizikisht dhe beson se ka ende shumë për të dhënë në futbollin elitar.
Kjo ka nxitur menjëherë spekulime rreth hapit të tij të radhës.
Emri i tij është lidhur menjëherë me disa klube europiane, dhe natyrisht destinacioni më i diskutuar është Milani i Massimiliano Allegri-t, një klub me histori të madhe, profil që i përshtatet Ramosit dhe një mundësi për t’u ribashkuar me mikun e tij të ngushtë, Luka Modriç.
Në ndërkohë, mediet kanë përmendur edhe një skenar romantik: një rikthim të bujshëm te Real Madridi, aty ku Ramos u bë legjendë. Deri tani nuk ka asgjë konkrete, por ideja po qarkullon fort.
Misioni i radhës: rikthimi në Europë
Ajo që duket e sigurt është se Ramos dëshiron të rikthehet në futbollin europian.
Tani mbetet vetëm të zbulohet se ku do të shkruajë kapitullin e tij të fundit, në një klub madhështor që kërkon lider, apo në një rikthim emocional në shtëpinë e tij të vjetër.
Sergio Ramos nuk ka thënë fjalën e fundit. Karriera e tij ende ka për të treguar.
