VIDEO/ Kristjan Prenga i papërmbajtshëm në SHBA, mposht amerikanin Carmack në më pak se 30 sekonda
Kristjan Prenga ka shënuar një tjetër fitore të shpejtë dhe mbresëlënëse në ringun amerikan, duke triumfuar brenda pak sekondash në duelin e zhvilluar në “Atlantic City”.
Boksieri shqiptar nuk i la asnjë mundësi Brandon Carmack-ut, të cilin e rrëzoi me një seri goditjesh të forta dhe të sakta që detyruan arbitrin ta ndalonte menjëherë përballjen.
Carmack e nisi duelin me agresivitet, por Prenga reagoi me pjekuri dhe vendosmëri, duke e kthyer përplasjen në favor të tij që në sekondat e para.
Goditjet e tij në zonën e ijëve rezultuan vendimtare, duke i prerë ritmin kundërshtarit dhe duke e çuar ndeshjen drejt një mbylljeje të parakohshme.
Me këtë sukses, Prenga e çon në 19 numrin e fitoreve në karrierë, të gjitha të arritura me nokaut – një statistikë që e përforcon statusin e tij si një talent i pashoq në skenën ndërkombëtare.
Atmosfera në “Bally’s Atlantic City” ishte elektrizuese, me tifozët shqiptarë që e mbështetën pa u lodhur dhe që shpërthyen në festë pas një tjetër performance dominuese të bashkatdhetarit të tyre.
