Serie A/ Cagliari mposht Romën, verdhekuqtë zbresin në vedin e katërt në renditje

Cagliari rikthehet te fitorja në shtëpi pas gati tre muajsh, duke triumfuar 1-0 ndaj Romës në “Unipol Domus”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të të Serie A.

Skuadra sarde, që nuk festonte para tifozëve të vet prej datës 13 shtator, zhvilloi një paraqitje shumë më të mirë se verdhekuqtë dhe e meritoi plotësisht suksesin.

Roma e humbi orientimin në pjesën e dytë, sidomos pas daljes me të kuqe të Zeki Çelik në minutën e 51-të, pas një faulli si lojtar i fundit.

Me një lojtar më pak, ekipi kryeqytetas nuk arriti të reagonte dhe u shtyp si në lojë, ashtu edhe në statistika: vetëm 2 goditje drejt portës, kundrejt 12 të Cagliarit.

Goli vendimtar erdhi në minutën e 83-të. Gianluca Gaetano, i futur nga stoli, shfrytëzoi në mënyrë perfekte asistin e Espositos pas një goditjeje këndi dhe dërgoi topin në rrjetë, duke çuar stadiumin në festë dhe duke i dhënë Cagliarit një trepikësh me shumë vlerë.

Me këtë fitore, Cagliari merr frymë dhe ringrihet në renditje, ndërsa Roma pëson një tjetër goditje të rëndë në një sezon me ulje-ngritje të shumta.

Verdhekuqtë do të duhet të reagojnë shpejt, sepse gara për zonën europiane po bëhet çdo javë e më e ashpër.