E konfirmon edhe Allegri: Pulisic është në dyshim, pati temperaturë
Milani i Massimiliano Allegri-t, që vjen pas humbjes dhe eliminimit në Kupën e Italisë kundër Lazios, po përgatitet për një transfertë delikate ndaj Torinos së Mark Baroni-t.
Ndonëse trajneri kuqezi do të mungojë në pankinë për shkak të skualifikimit dhe do të zëvendësohet nga ndihmësi i tij, Landucci, mesazhi i tij për skuadrën mbetet i qartë: kthimi te fitorja është detyrë.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Allegri theksoi rëndësinë e përqendrimit dhe vendosmërisë:
“Duhet të bëjmë një ndeshje konkrete, me objektivin e qartë.
Duhet të kemi forcën të qëndrojmë aty ku jemi. Të punojmë mbi gabimet dhe të kemi bindjen se mund të përmirësohemi.”
Trajneri kuqezi konfirmoi edhe një problem të fundit në skuadër:
“Pulisic gjatë natës ka pasur temperaturë. Do të shohim nëse do të jetë gati.”
Allegri kërkoi më shumë agresivitet dhe sakrificë nga lojtarët e tij, duke dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë:
“Për të fituar duhet të na ‘ndoten pantallonat’. Nëse dalim nga fusha të pastër, rezultatet nuk vijnë.
Kur nuk kemi topin, duhet të mbrojmë të gjithë së bashku, ashtu siç po e bëjnë djemtë. Por duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të përmirësohemi, sepse çdo ndeshje ka vështirësitë e veta.”
Milani kërkon të reagojë menjëherë, të ruajë kreun e renditjes dhe të dërgojë një sinjal force pas zhgënjimit në Kupë.
Sfida në Torino premton intensitet, ndërsa kuqezinjtë shpresojnë të kapërcejnë mungesat dhe presionin për të ruajtur ecurinë pozitive në kampionat.
