Formula 1/ Verstappen, pas humbjes së titullit: Nuk kam pengje, besova deri në fund
Max Verstappen e ka pranuar me vështirësi verdiktin e pistës, teksa kampionati 2025 u mbyll pa një tjetër titull për të.
Holandezi, i cili përfundoi sezonin si nënkampion bote, u shfaq i sinqertë dhe krenar për mënyrën se si ai dhe Red Bulli përballuan një vit të vështirë.
“Humbëm, dhe është e vështirë për ta tretur, por tani ka mbaruar kështu,” u shpreh Verstappen.
“Jam shumë krenar dhe i lumtur për mënyrën se si skuadra jonë reagoi pas një fillimi të komplikuar dhe disa momenteve shumë të vështira.
Nuk ishte e lehtë të përballoje gjithë atë kaos, por ia dolëm të qëndronim të fortë dhe të jepnim maksimumin.”
Piloti holandez theksoi se personalisht nuk ka asnjë peng për sezonin që sapo u mbyll:
“Nuk kam pengje. Bëmë çdo gjë që ishte në dorën tonë, edhe në momentet më të komplikuara, kur makina ime ishte shumë larg nivelit të dëshiruar dhe e vështirë për t’u drejtuar.”
Në fund, Verstappen tregoi edhe mësimin që nxori nga ky kampionat:
“Mësimi më i madh? Të mos dorëzohesh kurrë. Të besosh deri në fund.”
Tashmë, ai dhe Red Bulli shohin përpara drejt sezonit të ardhshëm, të vendosur për të rikthyer titullin botëror.
