Bajraktari: Procesi i dytë ndaj Thaçit pritet të mbyllet vitin e ardhshëm

Në një intervistë në hapësirën "Për Shqiptarët" në "Ora News", avokati Ardian Bajraktari komentoi mbi ecurinë e dy proceseve gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se çështja e dytë po i afrohet fazës përmbyllëse.

"Dua të them për hir të opinionit që janë dy procese gjyqësore, procesi i parë ose i madh gjyqësor që lidhet me katërshen e UÇK-së, tashmë është drejt fundit.

Palët e kanë përfunduar paraqitjen e dëshmive dhe dëshmitarëve të tyre.

Tashmë është stadi ku të njëjtët mund të bëjnë versionin përfundimtar të çështjes pas përmbylljes së dëshmive dhe ka vetëm deklarimin e fjalëve përfundimtare, fjalëve përmbyllëse.

Pastaj gradualisht duke shkuar drejt vendimit të trupit gjykues.

Rasti i dytë që ka të bëj me pengimin e administrimit të drejtësisë sepse duhet të kemi parasysh faktin që Gjykata e Hagës krahas çështjeve për ç'ka është themeluar me amendament kushtetues dhe ligj të veçantë, ka në juridiksionin e saj dhe disa vepra të veçanta që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë dhe këtu Thaçi krahas akuzës më të madhe ka dhe një akuzë tjetër për të cilën natyrisht në shkurt të vitit të ardhshëm do të fillojë procesi, ajo që ndërlidhet me pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare që ndërlidhet me nenin 401 të Kodit Penal.

Elementet esenciale të kësaj vepre penale janë ushtrimi i dhunës ose i kanosjes serioze, i faktit që një person që ndodhet në masën e paraburgimit për më tepër se 5 vite i atribohen këto epitete, në bindjen time është e paqëndrueshme, mirëpo mbetet të shihet në ecurinë e proçesit.

Ajo që vlen ta them në rastin e dytë është se unë jam optimist se brenda vitit të ardhshëm do të kemi një mbyllje të procesit të dytë", u shpreh Bajraktari.