HUMBET DURIMI/ Britania e prerë ndaj Kosovës: Institucionet të formohen pa vonesa pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka zhvilluar takime të ndara me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
Në takimin me Abdixhikun, Hargreaves tha se kanë diskutuar për rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, si dhe për nevojën që fushata zgjedhore të zhvillohet pa probleme dhe me frymë bashkëpunimi pas zgjedhjeve për të mirën e vendit.
“Ne diskutuam për rëndësinë e formimit të shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Shpresoj që fushata zgjedhore të shkojë pa probleme me qëllim bashkëpunimin pas zgjedhjeve për të mirën e vendit dhe të popullit të Kosovës”, ka shkruari Hargreaves.
Ndërkaq, në takimin me Haradinajn, ambasadori britanik theksoi rëndësinë e formimit të shpejtë të institucioneve në fillim të vitit të ri, në mënyrë që Kosova të jetë e angazhuar plotësisht në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe të avancojë në rrugën drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
“Këtë pasdite u takova me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Patëm një diskutim të mirë, duke shpresuar që institucionet të formohen sa më shpejt të jetë e mundur në vitin e ri, në mënyrë që Kosova të jetë në gjendje të angazhohet plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të bëjë përparim në rrugën e saj drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë ai.

