Vr*sja e Martin Canit, ja kur pritet të shpallet vendimi për Përlleshajn

Gjykata e Tiranës pritet të shpallë në datën 9 dhjetor vendimin për autorin e dyshuar të vrasjes së Martin Canit dhe plagosjen e bashkëmoshatarit të tij, Luis Meçja, ngjarje e ndodhur në nëntorin e vitit të kaluar.

Gjatë seancës së kësaj të enjteje, mbrojtja ligjore e 15-vjeçarit kërkoi rikualifikim të veprës penale për të miturin Marjo Perlleshaj, nga “vrasje në rrethana cilësuese” në “vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike”.

Organi i akuzës më herët ka kërkuar dënimin me 25 vite burg për autorin, por duke mbajtur parasysh nenin 97 të Kodit Penal, i cili parashikon se të miturve nuk mund t’u jepet më shumë se gjysma e dënimit të parashikuar për veprën në fjalë.

Kjo do të thotë se, nëse pranohet kërkesa e prokurorisë, Perlleshaj nuk mund të dënohet me më shumë se 12 vite burg.

Në seancën e radhës, Gjykata Penale e Tiranës do të shpallë vendimin përfundimtar për vrasjen e të ndjerit Martin Cani, ngjarje e ndodhur më 18 nëntor pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet.