Vëllezërit shkrimtarë, Arbër e Bislim Ahmetaj nderohen me “Mirënjohjen e Bashkisë” së Tropojës
Në një atmosferë të ngrohtë, Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve të Tropojës pritën në një takim vëllezërit shkrimtarë, Arbër e Bislim Ahmetaj.
Organizuar nën kujdesin e Bashkisë së qytetit, të pranishmit i përshëndeti kryetari i saj Zoti Rexhë Byberaj, i cili i nderoi shkrimtarët me «Mirënjohjen e Bashkisë» me motivacionin «Për veprën e tyre letrare dhe ndihmën e dhënë në promovimin e kulturës dhe shpirtit humanist të qytetit, brenda dhe jashtë vendit!»
“Pata kënaqësinë të marr pjesë në bashkëbisedimin letrar–kulturor të organizuar me vëllezërit Arbër dhe Bislim Ahmetaj, dy autorë të spikatur dhe kontribuues të rëndësishëm.
Me respekt të veçantë, u akordova vëllezërve Ahmetaj nderimin e lartë të Bashkisë Tropojë, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të vazhdueshëm në pasurimin e kulturës dhe letërsisë kombëtare.
Vepra e tyre mbetet një shembull frymëzues i përgjegjshmërisë artistike dhe i promovimit të identitetit tonë kulturor.

Bashkia Tropojë do të vijojë të mbështesë dhe të nderojë personalitetet që me punën, talentin dhe dedikimin e tyre i japin vlerë komunitetit dhe kulturës”, u shpreh kryebashkiaku Byberi.
Për krijimtarinë e autorëve folën poetët Lulzim Logu e Azgan Berbati! Të pranishmit u interesuan për veprën letrare të shkrimtarëve për jetën dhe planet e tyre krijuese!
Valltarë e këngëtarë të vegjël i dhanë larmi këtij aktiviteti në kuadër të veprimtarive që po gjallërojnë jetën kulturore të qytetit verior në prag të festës se Pavarësisë!
Autorët Arbër e Bislim Ahmetaj dhuruan libra për Bibliotekën e qytetit të vendlindjes së tyre!

