Kuzhina Italiane në prag të njohjes nga UNESCO! Një Trashëgimi që bashkon botën rreth tryezës
Çfarë e bën kuzhinën italiane më shumë se një libër recetash?
Përtej pastës, picës dhe tiramisusë, ajo është një trashëgimi kulturore që bashkon familje, komunitete dhe miliona dashamirës në mbarë botën. Tani, kjo traditë e përditshme mund të bëhet e para kuzhinë në botë e njohur si Trashëgimi Kulturore e Paprekshme e Njerëzimit nga UNESCO.
Ministria italiane e Bujqësisë dhe ajo e Kulturës kanë kandiduar kuzhinën italiane në Unesco, duke përmbledhur shekuj traditash, zakonesh dhe ritualesh të përbashkëta. Siç shprehet dosja zyrtare:
“Gatimi në Itali do të thotë të kujdesesh për familjen, miqtë ose klientët, duke vlerësuar krijimtarinë, traditën dhe biodiversitetin lokal.”

Kandidatura nuk lidhet me një pjatë të veçantë, por me një stil jetese dhe një përvojë komunitare: përdorimi i produkteve lokale, respekti për stinët, transmetimi i dijes ndërgjeneracionale dhe bashkëjetesa rreth tryezës.
Tri institucione kryesore mbështesin kandidaturën: Accademia Italiana della Cucina, Fondazione Casa Artusi dhe revista historike La Cucina Italiana. Logoja e prezantuar më 4 gusht 2023 tregon dorën e një kuzhinieri që përzien ushqimet tradicionale me monumente dhe simbole kulturore, ndërsa himni zyrtar, “Vai Italia”, kënduar nga Al Bano, përçon identitetin dhe kulturën italiane përmes muzikës.
Hapat drejt njohjes së UNESCO-s

Më 10 nëntor 2025, organi i ekspertëve të UNESCO-s rekomandoi regjistrimin e kuzhinës italiane në listën e trashëgimisë kulturore immateriale. Vendimi përfundimtar do të merret nga Komiteti Ndërqeveritar në Nju Delhi nga 8 deri më 13 dhjetor 2025. Ekspertët theksuan rëndësinë e kuzhinës italiane për zhvillimin e qëndrueshëm, barazinë gjinore dhe përfshirjen sociale.
Sipas Deloitte Foodservice Market Monitor 2025: Vlera globale e kuzhinës italiane arriti 251 miliardë euro në 2024, me rritje 4.5% nga viti në vit. Përfaqëson 19% të tregut global të restoranteve, me fokus në SHBA dhe Kinë.
Filiera agro-ushqimore italiane përbën rreth 15% të PBB-së kombëtare, ndërsa turizmi enogastronomik gjeneron mbi 40 miliardë euro në vit. Njohja nga UNESCO pritet të sjellë 18 milionë vizitorë të rinj në dy vitet e para dhe të rrisë imazhin global të vendit.

Kuzhina italiane është një histori kolektive: çdo pjatë tregon kujdes, dashuri dhe identitet. Siç shkruhet në dosje:
“Kuzhina italiane është ‘kuzhina e dashurisë’: transmeton kujtesë, kujdes, marrëdhënie dhe identitet.”
Nëse UNESCO e njoh këtë traditë, Italia do të vulosë një model unikal që bashkon njerëzit rreth tryezës, ndërthur kulturën, natyrën dhe memorien e komuniteteve.
“Drekat e së Dielës” – një festë e përbashkët
Më 21 shtator 2025, mbi 80 komuna italiane festuan “Drekat e së Dielës”, duke mbushur sheshet me tavolina dhe banorë të bashkuar rreth recetave tradicionale. Evenimenti u transmetua drejtpërdrejt nga RAI1 dhe pati pjesëmarrjen e kryeministres Giorgia Meloni, ministrave dhe personaliteteve të njohura të shoubizit, sportit dhe gastronomisë.


