INTERVISTA/ Kulla: Periudha e mjaltit mes Ramës dhe SHBA-ve ka mbaruar, sot opozita reale është SPAK!

Eksperti i sigurisë Ilir Kulla, i ftuar në “Të Pashoq”, ka folur gjerësisht për raportet e kryeministrit Edi Rama me Shtetet e Bashkuara dhe situatën politike në vend.

Ai tha se leximi publik i mesazheve të zyrtarëve amerikanë shpesh keqinterpretohet, duke sqaruar se letra që ish-presidenti Donald Trump i dërgoi presidentit Bajram Begaj është thjesht protokollare, pasi presidenti amerikan komunikon vetëm me homologun e tij. 

Ndërsa mesazhi i Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, për kryeministrin Rama, sipas tij, është pjesë e komunikimit normal mes dy qeverive.

Kulla tha se marrëdhëniet Shqipëri–SHBA nuk janë aq të thella sa perceptohen.

Ai theksoi se në vend nuk ka pasur investime të mëdha amerikane dhe se lidhjet kryesore me Uashingtonin lidhen vetëm me bashkëpunimin ushtarak, atë të shërbimeve sekrete dhe mbështetjen për SPAK.

Sipas tij, amerikanët nuk ofrojnë më urime apo mbështetje simbolike për qeverinë shqiptare sepse vendi ndodhet në mandatin e katërt dhe problemet e brendshme nuk mund të fshihen më.

Ai u shpreh se periudha e “mjaltit politik” dhe komoditeti mes Tiranës dhe Uashingtonit ka marrë fund.

PJESË NGA INTERVISTA

-Si qendron e vërteta e marrëdhënies mes kryeministrit Edi Rama dhe amerikanëve apo Washingtonit zyrtar. Për shembull, të gjithë mundohen të kapin e të lexojnë detaje. Për shembull, në festat e 28-29 nëntorit, presidenti Trump i shkroi vetëm homologut Begaj, nga ana tjetër mesazhi i sekretarit të shtetit Marco Rubio për kryeministrin Rama, për ato ditë, ishte shumë i fortë. Nuk ishte thjesht një mesazh urimi nën rreshta.

Shiko, t'i sqarojmë gjërat një nga një. Tek ajo çështja që presidenti Trump ia ka dërguar letrën presidentit Begaj, ka homolog, thua. Po, ti duhet t’ia çosh, sepse protokolli… ku do ta çojë? Presidenti i Amerikës nuk do ta çojë me nivel të ulët. Dhe ajo gjëja që ne duhet të shohim është që Amerika ka vëmendje. Edhe në festat e nëntorit funksionon diplomatikisht që vjen urimi.

Të vijmë te letra e Rubios, që është kondra padi pastaj e zotit Rama. Po normal. Më fal, ne çfarë lidhje kemi me Amerikën? Ke parë ndonjë biznes të madh amerikan në Shqipëri në këto vite? Ne, përveç qenies anëtar në NATO, në OKB dhe në Këshillin e Europës, ku ne dhe Amerika jemi pjesë, edhe në OSBE jemi pjesë, s’kemi gjë tjetër realisht në marrëdhëniet dypalëshe.

Amerikë–Shqipëri. Sot gjërat më të rëndësishme kush janë? Bashkëpunimi ushtarak, bashkëpunimi mes shërbimeve sekrete, bashkëpunimi me Departamentin e Drejtësisë për krimin, për SPAK-un e të tjerë. Dhe lufta kundër krimit, se realisht këto kemi ne. Se po të kishim pasur më shumë Amerikë ne brenda, do të kishte qenë më ndryshe Shqipëria. Ne kemi Amerikë fare pak.

A është i fortë ndikimi amerikan? Po, sigurisht që është i fortë, sepse përveçse është shteti lider dhe lokomotiva e Perëndimit, është gjithashtu shteti më i rëndësishëm i NATO-s. Amerika paguan 77% të buxhetit të NATO-s dhe na ka futur në NATO, që jemi vrima e fundit e kavallit, gjithmonë domethënë në këtë çështje.

Shqipëria nuk ka probleme të natyrës së terrorizmit, nuk ka probleme të natyrës së luftës me fqinjët, ndryshim kufijsh e të tjerë.

Është në rrugën për të qenë në drejtim të Bashkimit Europian dhe sigurisht çështja e kontrabandës, e drogës dhe e krimit të organizuar dhe e pastrimit të parave janë çështjet kryesore për të cilat do të flasim. Sepse këto janë.

Dhe fakti që sot amerikanët nuk e urojnë më dhe nuk i thonë “ju lumtë, sa mirë keni bërë” e të tjerë, lidhet edhe me faktin që jemi në mandatin e katërt të një qeverie.

Problemet ekzistojnë dhe normalisht nuk është se do të fshihen pas gishtit duke thënë që nuk ekzistojnë.

Përfundoi ajo që them unë: periudha e mjaltit me sa duket po shkon drejt përfundimit. Edhe periudha e dyllit mes palëve. Dhe tani jemi në atë periudhën tjetër që s’ia themi dot emrin, por e kuptojnë vetë njerëzit. Dhe normalisht kur ka një përplasje mes ekzekutivit… në fakt më shumë se ekzekutivit, të politikës, sepse edhe opozita është me këtë, me Prokurorinë Speciale apo me institucionet e sigurisë në vend, të cilat janë mbështetur dhe suportuar nga ky aleat kryesor që kemi ne, por jo vetëm ata, edhe Bashkimi Europian, edhe italianët që i kemi fqinjët më të afërm.

Këtë kam prioritet, sepse nuk është se kemi… por de facto, me Amerikën s’kemi asgjë dhe të vetmet gjëra që na lidhin janë çështjet e krimit. Ky është prioriteti. Po, s’më the gjë për këto vizitat e shumë të diskutuara, por që nuk dihet më shumë se kaq.

Ai po përpiqet, duke qenë se është shumë e qartë që Shqipëria hyn te vendet me rritje ekonomike jo të vogël në vitet e fundit, të paktën nga COVID-i e këtej, por me prezencë shumë të ulët të investimeve të huaja. Dhe po përpiqet të thithë investime. 

Të thithë investimet e huaja. Por nuk është kaq e lehtë. Nuk është e lehtë për shkak të nivelit të korrupsionit, nuk është e lehtë për shkak të bllokimit të administratës, nuk është e lehtë për shkak të situatës globale gjeopolitike.

Pra janë shumë gjëra të cilat nuk janë aq të lehta dhe ai po përpiqet dhe mirë bën që e bën këtë gjë.

-Po me Sazanin çfarë po ndodh?

Shiko, çfarë po ndodh, unë shpresoj që Sazani të bëhet dhe që grupi "Amar" të bëjë një hotel në Sazan, por deri tani jemi vetëm në nivel fjalësh. Do të ndodhë, unë shpresoj që të ndodhë, se sa më shumë investime të huaja të vijnë në vend, aq më shumë duhet të bjerë forca e oligarkëve vendas. Por duhet të vijnë grupe të mëdha, duhet të vijnë industri të mëdha, duhet të vijnë. Do të vijnë, e di, s’ka asgjë konkrete domethënë. Deri tani ne nuk kemi parë gjë. Hyjmë në vitin e tretë të qeverisjes së zotit Rama, unë nuk kam parë ndonjë nga grupet e mëdha në botë.

-Flitet se ndikimi amerikan mund të sjellë dhe ndryshim regjimi në Shqipëri...

Shiko, Edi Rama ka 83 vota. Po të dojë, jo vetëm që përfundon këtë mandat, por me këtë gjendje që është opozita merr dhe një mandat tjetër.  

-Po pse drejtësia nuk bëhet asnjë lloj pengese, për më tepër kur thuhet që janë amerikanët pas?

Drejtësia mund të bëjë pengesa sa të duash, ai mund të heqë njerëzit, por në fund fare këta të gjithë do shkojnë në gjyq, do ketë gjyq, do ketë kundërgjyq, do të ketë apel. Pra, ka kohën e vet gjithë kjo gjë.

A ka arritur drejtësia të shkatërrojë imazhin publik të politikës shqiptare dhe të institucioneve shqiptare me përgjimet dhe me skandalet e tyre?

Sigurisht që ka arritur. Dhe për këtë arsye është krijuar kjo gjë. Pra, drejtësia e pavarur. Sigurisht që do të mbërrijë.

Por po të them nga pikëpamja politike, nëse nuk ndryshon diçka në pikëpamjen sociale, pra lëvizja shoqërore… e sheh që del opozita atje çdo një ditë në javë edhe 200 veta aty. As 200 veta. Pra, këtu duhet të ndryshojë e gjithë mënyra e të bërit opozitë dhe e perceptimit në raport me ndryshimin. Sapo e the, pra, nuk ikën kush, nuk jep kush dorëheqjen. Prandaj, nuk lidhet vetëm se amerikanët nuk do të vijnë ta komandojnë Shqipërinë me flotën e gjashtë.

Ne jemi vend anëtar i NATO-s. Pra, do të ndihmojnë dhe do të përkrahin disa personalitete dhe disa personazhe. A do të jenë në gjendje këta ta bëjnë? Ta shohim. Deri tani nuk kemi parë asgjë.

Deri tani, kryetari i vetëm i opozitës në Shqipëri është Altin Dumani.

-Pse e thua këtë?

Po se është ai që e ka goditur qeverinë më shumë se çdokush tjetër. Pra, sot Altin Dumani si drejtues i SPAK-ut ka perceptimin që ky është i vetmi kryetar i opozitës në Shqipëri. Ka goditur zëvendës-kryeministren në detyrë, ka goditur kryetarin e bashkisë në detyrë, i cili e ka në burg, ka goditur ish-zëvendëskryeministrin, i cili është arratisur, një tufë të madhe ministrash, zyrtarësh, drejtorësh e të tjerë e të tjerë.

Pra, në këtë pikëpamje, në qoftë se s’do kishte ardhur goditja nga Prokuroria e Posaçme, të tjerët çfarë kanë bërë?! /Pamfleti