AVOKATI I POPULLIT/ Kapri: Ajo që e ka dëmtuar procesin e kandidaturave është pazari politik

Në studion e emisionit “Ora e Betit” ka qenë i ftuar deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri për të folur lidhur me procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit.

Kapri është shprehur fillimisht që ky proces ka pasur një nisje që ka lënë shumë paqartësi midis mazhorancës dhe opozitës, në zgjedhjen e kandidaturave për këtë post.

“Që në fillim që është hapur procesin, PS tha që bëni çfarë të doni dhe që do zgjidhnin një kandidat. Po pritej të sillej ndonjë kandidat nga PS.

Pastaj u futën në proces 26 kandidat, një pjesë shumë të mirë, vërtet për tu mbështetur. Pastaj kërkohej firma për t’u legjitimuar si kandidat. Ka një vendim të Komisionit të Ligjeve që firma do njihet vetëm për një kandidat. Aty ende nuk kuptohet se cili është procesi.

Ka nisur keq që në fillim fare.

Nga njëra anë, opozita nuk ka rënë dakord për vetëm një kandidat dhe që nga Brigada e PS që avokatin do e merrnin ata.”- tha ai.

Më tej deputeti është pyetur se pse opozita duhet të dali me një listë të përbërë me disa kandidatë kur mund të propozonte vetëm një individ për të qenë pjesë e kandidaturave për Avokatin e Popullit.

“Ky është problemi. Po tentohet të bëhet një pazar politikë dhe kjo është ajo që e ka dëmtuar.

Fryma e ligjit të Avokatit të Popullit është kjo, duhet të jetë një figurë mbi palët që të marri mbi 84 vota. Që vjen nga një aktivitet publik, nga një shoqëri civile, e propozuar nga opozita dhe e mbështetur në tërësi nga mazhoranca”- u shpreh Kapri.