Miratohen kriteret për dhënien e Medaljes së Shërbimit Ushtarak

Këshilli i Ministrave miratoi sot përcaktimin e kritereve për dhënien e Medaljes së Shërbimit Ushtarak, me qëllim njohjen e përkushtimit e të kontributit në shërbim të interesave kombëtare dhe kryerjen me përgjegjësi të lartë të detyrave.

Kriteret lidhen me përkushtimin dhe përgjegjësinë në detyrë të personelit ushtarak e civil të Forcave të Armatosura, duhet të mos kenë masa disiplinore dhe të kenë kontribuar për një kohëzgjatje shërbimi në Forcat e Armatosura.

Konkretisht sipas vendimit të qeverisë, për përfitimin e medaljes së artë, personeli ushtarak e civil i Forcave të Armatosura, duhet të kenë një periudhë shërbimi prej 20 vitesh, për medaljen e argjendtë 15 vite dhe mbi 5 vitesh për medaljen e bronztë.

Gjithashtu parashikohet përjashtim në raste të kontributeve të jashtëzakonshme.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve.