DITA E AFTËSISË SË KUFIZUAR/ Thirrje për dinjitet dhe mbështetje të vazhdueshme. Kërkohet njohja e kujdestarisë si vite pune. Fëmijët me autizëm, ende pa shërbime bazë
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, Shoqata ‘Autizmi’ ngre alarmin për mungesën e shërbimeve dhe mbështetjes, ndërsa kërkon njohjen e kujdestarisë si vite pune dhe rritjen e fondeve për personat mbi 18 vjeç.
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, Shoqata “Autizmi” ngriti shqetesimin për mungesën e shërbimeve dhe mbështetjes që kjo kategori përballet çdo ditë.
Drejtoresha ekzekutive, Eglantina Bajrami tha se personat me autizëm dhe familjet e tyre vijojnë të hasin pengesa të mëdha, që nga aksesueshmëria deri te trajtimet bazë që duhen garantuar nga shteti.
Bajrami theksoi se është jetike njohja e kujdestarisë si vite pune, duke i dhënë nënave dhe prindërve statusin që meritojnë për përkujdesjen e përditshme ndaj fëmijëve me autizëm.

Kërkoi gjithashtu rritjen e fondit të mbështetjes për moshat pas 18 vjeç, pasi siç u shpreh ajo kjo kategori shpesh mbetet e harruar.
Shoqata “Autizmi” apelon që institucionet të marrin masa konkrete dhe të shpejta, në mënyrë që personat me aftësi të kufizuar të mos jenë thjesht pjesë e statistikave, por qytetarë me të drejta të garantuara dhe mbështetje dinjitoze.

